
Interi po u afrohet gjithnjë e më shumë objektivave të tij në merkato. Pas sigurimit të Djed Spence, i cili pritet të mbërrijë në Milano për të firmosur kontratën me zikaltrit, klubi italian po përqendrohet te përforcimi i mesfushës.
Objektivi kryesor i trajnerit Cristian Chivu është Curtis Jones, mesfushori i Liverpoolit. Klubi anglez vazhdon të kërkojë rreth 40 milionë euro, por Interi beson se mund ta ulë këtë shifër, duke pasur parasysh se kontrata e Jones me Liverpoolin eskadon në vitin 2027.
Zikaltrit po mendojnë të paraqesin një ofertë fillestare prej 30 deri në 35 milionë eurosh, me synimin për të bindur Liverpoolin të pranojë një marrëveshje.
Chivu e vlerëson shumë profilin e Jones, pasi mesfushori anglez ka karakteristika të ndryshme nga lojtarët e tjerë të repartit të Interit. Për më tepër, ai mund të përdoret në disa pozicione, madje edhe në krahë, duke i dhënë trajnerit më shumë alternativa taktike.
Për të financuar transferimin, Interi pret të arkëtojë nga disa largime. Një prej tyre mund të jetë Davide Frattesi, i cili kërkohet nga Lazio. Gjithashtu, priten zhvillime për largimet e Kristjan Asllanit dhe Massolinit, ndërsa Akinsanmiro tashmë është transferuar te Monza.
Në krahë, Interi po punon edhe për situatën e Luis Henrique. Roma është afruar me një marrëveshje rreth 27 milionë euro, por ende mungon dakordësia e futbollistit brazilian për transferimin në kryeqytet. Nëse ai largohet, Interi mund të kërkojë një tjetër alternativë për Chivu-n, me Malick Fofana të Lyonit, i lindur në vitin 2005, si një nga emrat e vëzhguar.
Sa i përket Jones, mesfushori ka dhënë tashmë miratimin për një transferim te Interi. Ai nuk ka marrë sinjalet e pritshme nga Liverpooli në lidhje me rinovimin e kontratës dhe duket se po shqyrton seriozisht një aventurë të re.



