
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka përfunduar vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita e tij atje vjen në fund të mandatit të tij si emisar.
Takimin e fundit ai e ka zhvilluar me Zëvendëssekretari amerikan të Shtetit për Menaxhim dhe Resurse, Richard Verma, të cilin e ka informuar për zhvillimet në rajon dhe procesin e dialogut, shkruan Reporteri.net.
“Përfundova vizitën time në Washington DC me një bisedë shumë të vlefshme me Richard Verma. E informova atë për zhvillimet në rajon dhe dialogun dhe theksova rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë SHBA-BE në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Lajçak.
Ndryshe, Lajçakut i përfundon mandati më 31 janar. Nga BE kanë deklaruar dje se procesi i përzgjedhjes së pasuesit të tij po zhvillohet. Dy emrat e përfolur për këtë pozitë janë Peter Sorensen, dhe ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto
Zëdhënësja e BE’së, Anitta Hipper, ka thënë do të ofrohen përditësime për zhvillimet.
“Mandati i të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, mbetet në fuqi deri në fund të janarit. Procesi i përzgjedhjes së pasuesit të tij aktualisht është duke u zhvilluar dhe ne do të ofrojmë përditësime në kohën e duhur”, ka deklaruar Hipper./



