
Mickoski dhe VMRO nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga përpjekjet për manipulime dhe keqpërdorime me mbi 200.000 vota të diasporës, thonë nga LSDM.
“Pasi kuptoi se nuk mund ta kalojë “kontrabandë” modelin e votimit elektronik për diasporën pa asnjë kontroll, tani po përpiqet me një lloj votimi me postë, theksoi në konferencë për media Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse dhe anëtare e Kryesisë së LSDM‑së.
“Dhe sërish pa asnjë kontroll dhe garanci për respektimin e vullnetit të lirë të qytetarëve – një model i ri dhe mundësi për manipulime dhe parregullsi zgjedhore. Mickoskit nuk i intereson agjenda reformuese – ajo është vetëm justifikim. E vetmja gjë që i intereson është grabitja zgjedhore.
Qëndrimet e LSDM‑së për Kodin Zgjedhor nuk janë radikale, siç dëshiron Mickoski t’i paraqesë. Radikal është mënyra se si ai dëshiron ta realizojë grabitjen zgjedhore.”
LSDM, theksoi ajo, nuk është kundër votimit të diasporës – diaspora voton edhe tani.
“Kjo është gënjeshtër e VMRO‑së. Por ne jemi kundër një mënyre votimi që nuk garanton siguri, transparencë dhe mbrojtje të vullnetit zgjedhor.
Propozimi që votimi elektronik të zëvendësohet me votim me postë, pa mundësinë që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ta përcaktojë me konsensus rregullimin dhe mekanizmat e kontrollit, nuk e përmirëson demokracinë në procesin zgjedhor.
Ai krijon rreziqe të reja për parregullsi, keqpërdorime dhe manipulime zgjedhore.
E rrezikshme dhe shqetësuese është që VMRO refuzon kategorikisht që KSHZ, me konsensus, të rregullojë procedurat për votimin e diasporës.
Nga çfarë ka frikë pushteti?”
Nëse vërtet qëllimi i tyre është proces zgjedhor i drejtë dhe demokratik, shtoi Kuzeska, atëherë pse shmangen nga një mekanizëm që siguron kontroll, besim dhe pajtim mes të gjithë aktorëve politikë?
E vërteta, siç thekson ajo, është se qëllimi i tyre nuk është proces më i mirë zgjedhor, por hapja e hapësirës për inxhinieri zgjedhore dhe manipulim.
“LSDM nuk do të lejojë grabitje zgjedhore, ne kemi detyrimin ta mbrojmë votimin dhe këto lojëra të VMRO‑së nuk i pranojmë.
Pushteti duhet të heqë dorë nga këto qëllime, të tërhiqet dhe të dorëzojë propozim që KSHZ, me konsensus, të mund ta rregullojë votimin e diasporës.”thuhet në kumtesen e sotme të opozitares maqedonase, LSDM-së.



