
Propozimi për themelimin e dy çmimeve të reja shtetërore – “Bllazhe Koneski” dhe “Remzi Nesimi” nuk mori mbështetjen e nevojshme në seancën e sotme të Komisionit kuvendor për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.
Propozimi ishte paraqitur nga ana e opozitës, por nuk mori numrin e mjaftueshëm të votave për të kaluar në lexim të mëtejshëm.
Me propozimin kërkohej themelimi i këtyre dy çmimeve për shkak të rëndësisë së dy personaliteteve të kulturës. Çmimi “Bllazhe Koneski” sipas propozimit, duhej të ndahej më 19 dhjetor, ndërsa çmimi “Remzi Nesimi” në gjysmën e dytë të dhjetorit. Fondi i përgjithshëm i shpërblimeve për të dy çmimet duhej të ishte rreth 830 mijë denarë.
Bisera Kostadinovska-Stojçevska, e cila e arsyetoi propozimin, tha se për shkak se propozimi ka implikime financiare, grupi i tyre parlamentar ka paraqitur një amendament për rebalancin me të cilin kërkohet ndarja e mjeteve për këtë qëllim, në mënyrë që çmimet të ndahen deri në fund të këtij viti.



