LajmeTeknologji

Kina teston me sukses “ushtrinë” e robotëve, kryejnë mbi 64 mijë detyra me saktësi pothuajse perfekte

Kina ka shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në automatizimin industrial, pasi një grup robotësh humanoidë ka përfunduar me sukses një testim gjashtëditor në një fabrikë funksionale, duke realizuar dhjetëra mijëra detyra me një nivel saktësie prej 99.99 për qind. Demonstrimi konsiderohet një provë e rëndësishme për përdorimin e robotëve në mjedise reale pune.

Testimi u zhvillua nga kompania kineze Agibot në fabrikën e Longcheer Technology, ku tetë robotë humanoidë të modelit G2 punuan pa ndërprerje në linjën e prodhimit të tabletëve. Gjatë më shumë se 64 orëve të punës së akumuluar, ata morën pjesë në prodhimin dhe kontrollin e cilësisë së 17.625 tabletëve, duke kryer gjithsej 64.828 detyra industriale.

Robotët u angazhuan në procese të ndryshme, si inspektimi i pajisjeve, identifikimi dhe ndarja e produkteve me defekte, transporti i materialeve dhe operacione të tjera të prodhimit. Sipas kompanisë, ata arritën të përshtateshin me ndryshimet që ndodhnin gjatë procesit, ndërsa fabrika vazhdoi aktivitetin normal me punonjësit dhe makineritë ekzistuese.

Ndryshe nga testimet laboratorike, kjo provë u zhvillua në një ambient real pune dhe u transmetua drejtpërdrejt për gjashtë ditë, me synimin për të treguar performancën dhe sfidat e integrimit të robotëve humanoidë në industri.

Presidenti i divizionit të inteligjencës artificiale të Agibot, Yao Maoqing, deklaroi se objektivi kryesor ishte të vërtetohej se këto sisteme mund të bashkëpunojnë me njerëzit në fabrika dhe të përballojnë detyra të përsëritura me efikasitet të lartë.

Pas përfundimit të testimit, Agibot njoftoi gjithashtu prodhimin e robotit të saj të 15.000-të, i cili do t’i dorëzohet po kompanisë Longcheer Technology. Megjithatë, kompania thekson se qëllimi i këtyre projekteve nuk është zëvendësimi i menjëhershëm i punëtorëve, por përdorimi i robotëve si mbështetje në proceset industriale, ndërsa automatizimi vazhdon të zgjerohet.

Related Articles

Back to top button
Close
Close