LajmeRajon

Kurti: Serbia po zgjeron kapacitetet ushtarake në funksion të synimeve hegjemoniste

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë përbën pjesë të një strategjie më të gjerë politike dhe diplomatike, e cila, sipas tij, lidhet me synimet hegjemoniste të Beogradit në rajon dhe veçanërisht ndaj Kosovës, transmeton Anadolu.

Kurti në Konferencën e 9-të të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës e cila u mbajt në Prishtinë me temën “Kosova në një botë në ndryshim: Siguri, Partneritet dhe Zhvillim”, theksoi se ndikimet e jashtme në Ballkan kanë rritur ndjeshmërinë e sigurisë.

“Zhvillimet gjeopolitike të kohës sonë, përfshirë ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, kanë rritur ndjeshmërinë e sigurisë në rajon. Zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë nuk është thjesht përpjekje për të modernizuar ushtrinë e saj, por një strategji më e gjerë politike dhe diplomatike, e cila lidhet drejtpërdrejt me synimet e saj hegjemoniste karshi rajonit tonë, e veçanërisht Kosovës”, tha Kurti.

Ai tha se mjedisi ndërkombëtar është bërë më kompleks dhe se roli i ambasadorëve nuk kufizohet më vetëm në marrëdhëniet tradicionale ndërmjet shteteve.

“Angazhimi përtej marrëdhënieve tradicionale shtet me shtet imponon më shumë se sa përfaqësim formal. Ai kërkon punë të vazhdueshme për të krijuar kontakte, për të ndërtuar partneritete dhe për të hapur mundësi të reja për vendin”, theksoi Kurti.

Ai foli edhe për ndryshimet në sigurinë globale, duke përmendur tensionet gjeopolitike, konkurrencën ndërmjet fuqive të mëdha, si dhe zhvillimet në fushën e inteligjencës artificiale dhe informatikës kuantike.

Sipas Kurtit, agresioni rus ndaj Ukrainës ka ndryshuar perceptimet për paqen dhe stabilitetin në Evropë. “Përmes veprimeve të saj, Rusia ka demonstruar se këto konflikte zhvillohen përtej fushëbetejave, duke uzurpuar hapësirën digjitale dhe duke prodhuar forma të reja të kërcënimeve hibride”, deklaroi ai.

Sipas tij, partneriteti me NATO-n dhe programet e bashkëpunimit dypalësh janë ndër shtyllat kryesore për konsolidimin e kapaciteteve të sigurisë së Kosovës.

Ai përmendi edhe marrëveshjen trilaterale ushtarake me Shqipërinë dhe Kroacinë, marrëveshjet dypalëshe me SHBA-në, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe shtete të tjera, si dhe misionet e përbashkëta me ushtritë e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në Kuvajt, Belize dhe Ishujt Folkland.

Related Articles

Back to top button
Close
Close