LajmeRajonTopLajm

Kriza e karburantit: Në Shqipëri çmimi rritet në heshtje, në Itali qeveria studion ulje të reja të akcizës

Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ka nxitur rritjen e çmimeve të karburanteve. Si gjithmonë në Shqipëri, çmimet janë rritur në heshtje, me qytetarët që ditë pas dite janë përballur me rritje të kostove, teksa nafta tregtohet me 206 lekë për litër. Ndërkohë, e njëjta situatë në Itali ka shtyrë qeverinë të shqyrtojë masa të reja për të lehtësuar barrën mbi konsumatorët.

Kryeministrja Giorgia Meloni zhvilloi një takim në Palazzo Chigi me ministrin e Ekonomisë, Giancarlo Giorgetti, ku në fokus ishte situata ekonomike dhe veçanërisht rritja e çmimeve të benzinës dhe naftës, të cilat tashmë kanë kaluar pragun e 2 eurove për litër. Sipas burimeve qeveritare, ekzekutivi po analizon mundësinë e aktivizimit të mekanizmit të ashtuquajtur të akcizave lëvizëse, si dhe masa të tjera që mund të frenojnë rritjen e çmimeve.

Takime të tjera pritet të zhvillohen gjatë ditëve në vijim për të përcaktuar hapat konkretë. Që nga shpërthimi i konfliktit me Iranin, qeveria italiane ka ndërhyrë disa herë duke ulur akcizat mbi karburantet: fillimisht me 20 cent për litër, më pas me 10 cent dhe së fundmi me 5 cent. Këto masa kanë kushtuar miliarda euro për buxhetin e shtetit dhe sipas autoriteteve nuk janë më të qëndrueshme për shkak të borxhit të lartë publik.

Për këtë arsye, në tryezë është rikthyer mekanizmi i akcizave lëvizëse, i krijuar fillimisht nga qeveria Prodi në vitin 2008 dhe i reformuar nga qeveria Meloni në vitin 2023. Ky sistem parashikon që ulja e akcizës të financohet nga të ardhurat shtesë të TVSH-së, të cilat rriten automatikisht kur çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare shtrenjtohet.

Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se efekti i këtij mekanizmi do të ishte i kufizuar. Sipas llogaritjeve të publikuara nga ekonomistët italianë, ulja e çmimit në pompë mund të jetë vetëm 7 deri në 10 cent për litër, ndërsa zbatimi kërkon kohë, pasi më parë duhet të mblidhen të ardhurat shtesë nga TVSH-ja.

Related Articles

Back to top button
Close
Close