
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe qeverisë në Pallatin e Brigadave, duke e akuzuar atë për shpërfillje të kërkesave të qytetarëve dhe për mbrojtje të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku. Gjatë një komunikimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha e cilësoi Ramën si “një dyfytyrësh, një cinik dhe një njeri të falimentuar”, ndërsa tha se kryeministri nuk ka marrë parasysh kërkesat e protestuesve, të cilët sipas tij prej dy muajsh kërkojnë ndryshime politike.
Sipas kreut të demokratëve, kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e kryeministrit, të cilën ai e cilësoi si “të panegociueshme dhe të parevokueshme”. “Dje, kur e dëgjuat te Pallati Presidencial, patë aty një dyfytyrësh, një cinik dhe një njeri të falimentuar. Një njeri që injoroi ‘de facto’ totalisht kërkesat e ligjshme të protestuesve, që po bëhen prej dy muajsh”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se pesë kërkesat e protestuesve janë themelore, ndërsa e para lidhet me largimin e Ramës nga posti i kryeministrit. “Kërkesat më themelore janë 5 pika, ku e para është ‘Edi Rama jep dorëheqjen’, të panegociueshme dhe të parevokueshme. Nuk ka kërkesë më legjitime, sepse Edi Rama nuk është një kryeministër legjitim”, u shpreh Berisha.
Duke folur për çështjen e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, Berisha pretendoi se Rama e ka mbrojtur atë për interesat e tij personale. “Rama qëndron në pushtet pasi ka vjedhur qindra milionë euro bashkë me Lubi Ballukun dhe e mbrojti atë për të mbrojtur veten e tij”, deklaroi ai.
Më tej, Berisha kundërshtoi edhe një deklaratë të Ramës lidhur me dënimet për korrupsion të zyrtarëve gjatë 100 viteve të fundit. “Dje, pa përgjegjësi, thoshte se në 100 vitet e fundit nuk është dënuar ndonjë zyrtar për korrupsion, pavarësisht se vetëm në 30 vitet e fundit, dy ish-kryeministra socialistë kanë bërë burg për korrupsion. Por kur nuk ke turp, bën çdo gjë dhe thua çdo gjë”, tha Berisha.


