
Kombëtarja U21 e Kosovës ka barazuar pa gola (0:0), në ndeshjen miqësore ndaj Luksemburgut U21, të zhvilluar të shtunën pasdite në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.
Kjo ishte ndeshja e dytë miqësore e Dardanëve të rinj gjatë këtij grumbullimi, pas përballjes së zhvilluar të mërkurën kundër Turqisë U21, e cila përfundoi me rezultat minimal 1:0 në favor të kombëtares turke.
Përzgjedhësi Hekuran Kryeziu e vlerësoi pozitivisht grumbullimin, duke theksuar se këto dy ndeshje i kanë shërbyer stafit teknik për të parë nga afër edhe disa futbollistë të rinj, të cilët mund të jenë alternativa për gjeneratën e ardhshme.
“Ka qenë një grumbullim i mirë. Kemi pasur disa lojtarë të rinj dhe ishte mirë t’i shihnim, pasi mund të jenë opsione për gjeneratën e ardhshme. Loja ishte ashtu siç e kishim pritur. Në pjesën e parë pati shumë duele dhe luftë sportive, ndërsa të dyja ekipet krijuan raste. Në pjesën e dytë, personalisht më pëlqeu pak më shumë loja jonë”, ka thënë Kryeziu.
Ai tha se numri i madh i zëvendësimeve ndikoi në ritmin e ndeshjes, por ishte i domosdoshëm për shkak të temperaturave të larta dhe ngarkesës së futbollistëve në fund të sezonit.
“Kishte shumë ndërrime dhe kjo ndikoi që loja të mos kishte vazhdimësinë e duhur. Jemi në fund të sezonit dhe lojtarët kanë zhvilluar sezone të gjata.
Zëvendësimit bënë edhe për shkak të motit të nxehtë, por edhe për t’u dhënë mundësi lojtarëve të tjerë. Edhe pse ishin ndeshje miqësore, ato ishin një mundësi shumë e mirë për t’i parë disa futbollistë të rinj”, ka shtuar përzgjedhësi i Kosovës U21.
Edhe sulmuesi Hekuran Berisha vlerësoi se Kosova pati mundësi të mjaftueshme për ta fituar takimin, por mungoi konkretizimi para portës kundërshtare.
“Patëm disa raste në pjesën e parë dhe mundësi të mjaftueshme për të shënuar. Edhe unë pata një rast, por nuk arrita ta konkretizoja. Në përgjithësi, loja shkoi mjaft mirë, si në aspektin taktik, ashtu edhe në krijimin e rasteve, por fati nuk ishte me ne”, ka deklaruar Berisha.
Ai foli pozitivisht edhe për integrimin e futbollistëve të rinj në ekip.
“Kishte shumë lojtarë të rinj dhe gjithçka shkoi shumë mirë me ta, si jashtë, ashtu edhe brenda fushës. Komunikuam mirë dhe kjo u pa edhe në ndeshje. Disa lojtarë u aktivizuan në pjesën e dytë dhe u inkuadruan shumë mirë”, ka shtuar sulmuesi i Dardanëve të rinj.
Këto dy ndeshje i shërbyen stafit teknik për të testuar futbollistët, për të analizuar formën e tyre dhe për të konsoliduar ekipin para tri ndeshjeve të fundit të ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian, të cilat do të zhvillohen gjatë vjeshtës.
Përballjen nga afër e ndoqën edhe përzgjedhësi i Kombëtares A, Franco Foda, së bashku me stafin e tij, si dhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi.



