
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat deri të premten po harmonizoheshin nga anëtarët e grupit të punës në Ministrinë e Drejtësisë, mund të gjenden që sot në seancë parlamentare si propozim i deputetëve.
Propozimi duhet të nënshkruhet nga grupet parlamentare dhe zyrtarisht t’i dorëzohet Kuvendit. Duke qenë se LSDM-ja bojkotoi pjesëmarrjen në grupin e punës, për shkak se Qeveria e Përzhinës u shfuqizua pa konsensus, ende nuk dihet se cilat grupe parlamentare do ta nënshkruajnë propozimin, nëse ai do të mbështetet vetëm nga shumica qeverisëse apo edhe nga subjekte të tjera.
Burime nga shumica parlamentare bëjnë të ditur se ky propozim mund të dorëzohet që gjatë ditës së sotme.
Publiku nuk ka pothuajse asnjë informacion lidhur me përmbajtjen e bisedimeve dhe marrëveshjeve të arritura nga përfaqësuesit e partive politike në grupin e punës. Jozyrtarisht, në këto ndryshime pritet të përfshihen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, por njëkohësisht partitë kanë harmonizuar edhe propozimet e tyre.
Ende nuk dihet se cilat nga rekomandimet janë përfshirë dhe cilat jo, nëse Maqedonia e Veriut do të ketë një njësi të vetme zgjedhore, nëse do të vendoset një prag zgjedhor apo nëse këto çështje nuk do të jenë fare pjesë e ndryshimeve.
Takimi i fundit i grupit të punës u mbajt të enjten, ndërsa konsultimet përfundimtare, sipas Ministrisë së Drejtësisë, duhej të përfundonin deri të premten në mënyrë elektronike.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë pjesë e detyrimeve që dalin nga Agjenda Reformuese, ndërsa ekziston presion që ato të miratohen brenda pak ditësh.



