
Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga ministri Sasho Klekovski, po ndërmerr aktivitete të përforcuara dhe të koordinuara për monitorimin dhe menaxhimin e situatës me ethet e Nilit Perëndimor në vend. Komisioni për Sëmundjet Infektive e monitoron rregullisht situatën epidemiologjike dhe propozon masa dhe rekomandime përkatëse.
Me iniciativë të ministrit Klekovski, sot është formuar një trup koordinues, në të cilin, krahas institucioneve të sektorit shëndetësor, janë përfshirë edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, përfaqësues të Qytetit të Shkupit, si dhe kryetari i njërës prej komunave të prekura. Qëllimi është të sigurohet veprim në kohë, i harmonizuar dhe efikas nga të gjitha institucionet kompetente.
– Po i vëmë në dispozicion të gjitha kapacitetet institucionale dhe po vendosim një koordinim të përforcuar ndërinstitucional. Situata monitorohet çdo ditë, ndërsa masat do të përshtaten në përputhje me treguesit epidemiologjikë. Prioriteti ynë është zbulimi në kohë i rasteve, trajtimi i duhur i pacientëve dhe mbrojtja maksimale e shëndetit të qytetarëve – theksoi ministri Klekovski.
Sa i përket situatës aktuale epidemiologjike, për momentin janë regjistruar 35 raste të konfirmuara dhe tri raste të dyshuara, të cilat janë në proces diagnostikimi. Pjesa më e madhe e pacientëve po trajtohen në Klinikën e Sëmundjeve Infektive dhe Gjendjeve Febrile. Deri tani janë regjistruar tri raste vdekjeje, ndërsa 15 pacientë janë shëruar dhe janë liruar nga Klinika.
Kapacitetet diagnostikuese janë përforcuar maksimalisht, ndërsa çdo ditë kryhen nga katër deri në tetë analiza.
Ministri Klekovski u bëri thirrje qytetarëve që t’i respektojnë në mënyrë të vazhdueshme masat e mbrojtjes personale. Qytetarët në zonat e prekura do të marrin mesazhe SMS me rekomandime dhe masa konkrete mbrojtëse.
– Planet për spërkatjen kundër mushkonjave në komuna po zbatohen, ndërsa Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor do të kryejë kontrolle të jashtëzakonshme shtesë. Në zonat e prekura do të kryhet edhe kontroll i jashtëzakonshëm i shpendëve. Apelojmë për kujdes maksimal, duke pasur parasysh se, historikisht, gushti dhe shtatori janë muajt në të cilët epidemi të tilla arrijnë kulmin e tyre – shtoi ministri.
Drejtori i Klinikës së Sëmundjeve Infektive dhe Gjendjeve Febrile, dr. Fadil Cana, informoi se deri tani në Klinikë janë konfirmuar në mënyrë laboratorike ethet e Nilit Perëndimor te gjithsej 34 pacientë, prej të cilëve 15 janë shëruar me sukses.
Ministria e Shëndetësisë mbetet në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet kompetente dhe do të vazhdojë ta monitorojë me kujdes situatën në terren. Në varësi të zhvillimit të saj, do të ndërmerren në kohë masa shtesë, ndërsa publiku do të informohet rregullisht dhe në mënyrë transparente për të gjitha të dhënat relevante dhe rekomandimet për mbrojtje.




