LajmeRajon

Gjini ngre alarmin: Kosova është e infiltruar nga shërbimet sekrete armike, sa spiunë të tjerë mund të jenë në majat e pushtetit?

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka ngritur shqetësimin për infiltrimin e shërbimeve sekrete armike në institucionet e Kosovës dhe ndikimin e tyre në zhvillimet politike e shoqërore në vend.

Në një reagim të publikuar në Facebook, Gjini ka thënë se kjo tashmë është bërë evidente, duke iu referuar edhe rasteve të personave të arrestuar nën dyshimet për spiunazh.

“Spunët tanimë edhe të arrestuar, sikurse ky Fehim Sali, janë me qasje në zyrat më të larta shtetërore dhe po ndikojnë drejtpërdrejt në zbehjen e shtetit dhe demokracisë”, ka shkruar Gjini.

Sipas tij, ndikimi i këtyre rrjeteve nuk kufizohet vetëm brenda institucioneve, por shtrihet edhe përmes propagandës dhe rrjeteve sociale.

Gjini ka renditur disa qëllime që, sipas tij, synohen përmes kësaj lufte hibride: fragmentimi i shoqërisë deri në nxitjen e konfliktit të brendshëm, dëmtimi i historisë dhe figurave kombëtare, pengimi i zhvillimit ekonomik, dëmtimi i marrëdhënieve me vendet mike dhe krijimi i një klime të pashpresës tek qytetarët.

“Kjo është qëllimi i shërbimeve armiqësore dhe ky kurs po ndiqet tash e shumë vite, nga brenda sistemit dhe përmes luftës hibride, kryesisht propagandës elektronike”, ka deklaruar ai.

Në fund, Gjini ka ngritur pyetjen se sa persona të tjerë të dyshuar për lidhje me shërbime të huaja mund të jenë të emëruar në pozita të rëndësishme shtetërore.

“Një i arrestuar për spiunazh si Fehim Sali, i cili ishte emëruar edhe në Këshillin Konsultativ për Komunitete, duhet të ngrinte pyetjen kryesore: Edhe sa spiunë të tjerë mund të jenë të emëruar në majat e pushtetit?”, ka shkruar Gjini.

Related Articles

Back to top button
Close
Close