LajmeMaqedoniTopLajm

Kina sheh potencial të madh turistik në Mavrovë dhe Rekë

Ambasada e Kinës në vendin tonë vlerëson se kapacitetet turistike që ofron rajoni i Mavrovës dhe Rekës paraqesin një mundësi shumë të mirë për bashkëpunim në fushën e turizmit me Komunën e Mavrovës dhe Rostushës. Po ashtu, ekzistojnë mundësi për bashkëpunim edhe në sferën e kulturës, pasi vlerat e multikulturalizmit janë vlera ndërkombëtare, si dhe për investime në ekonominë lokale. Kjo, mes tjerash, u theksua gjatë vizitës së ambasadores së Kinës, Xhaing Sjaojan, në Komunën e Mavrovës dhe Rostushës, ku ajo zhvilloi një takim me kryetarin e komunës, Oner Jakuposki.

Kabineti i kryetarit njoftoi se vizita ishte shumë efektive, pasi diplomatja kineze vlerësoi se komuna rurale e Mavrovës dhe Rostushës ka një bukuri të veçantë dhe ofron kushte për zhvillimin e turizmit veror, dimëror dhe alternativ. “Në qendër të bisedimeve ishin mundësitë e mëdha që ofrojnë kapacitetet turistike të Mavrovës dhe rajonit të Rekës. Kam prezantuar në detaje bukuritë natyrore dhe lokalitetet unike të Parkut Kombëtar të Mavrovës, ndërsa konstatuam se komuna është një ndër më uniket për vlerat e destinacioneve turistike, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë”, thuhet në informacionin e publikuar nga kryetari i komunës, Oner Jakuposki.

Gjatë bisedimeve me delegacionin kinez në këtë komunë rurale, e cila mbi 90 për qind të territorit e ka brenda Parkut Kombëtar të Mavrovës, u theksua edhe rëndësia e madhe e popullatës vendase, traditave dhe gastronomisë karakteristike të rajonit. Multikulturalizmi dhe traditat shekullore të banorëve u vlerësuan si një pasuri e madhe e këtij rajoni të Maqedonisë. Në fund të takimit u konstatua se Kina është e interesuar të promovojë turizmin, me qëllim të rritjes së numrit të turistëve të huaj, të zhvillojë shkëmbime në fushën e kulturës dhe të investojë në ekonominë lokale. (V.S) Koha

Related Articles

Back to top button
Close
Close