
Në seancën e sotme parlamentare, zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me sigurinë ushqimore dhe realizimin e subvencioneve në bujqësi.
Lidhur me sigurinë ushqimore, Hoxha theksoi se institucionet kompetente vazhdojnë kontrollet e rregullta për garantimin e sigurisë së ushqimit, ndërsa të gjitha masat ndërmerren në përputhje me legjislacionin në fuqi, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe garantimin e standardeve të larta të cilësisë.
Sa i përket subvencioneve, Hoxha informoi se pagesat që aktualisht janë në pritje do të realizohen menjëherë pas miratimit të rebalancit të Buxhetit, i cili ndodhet në procedurë parlamentare.
“Me rebalancin do të sigurohen mjetet për pagesën e subvencioneve për qumështin, gjedhët e shënuara, grurin, kulturat e tjera drithërore, si dhe kulturat fushore”, deklaroi Hoxha.
Ai njoftoi gjithashtu se Agjencia është në fazën përfundimtare të testimit të softuerit të ri për aplikimet për subvencionet e vitit 2026.
“Për të mos dëmtuar asnjë bujk, afati për aplikim është shtyrë deri në fund të shtatorit, ndërsa sistemi do të hapet shumë shpejt, menjëherë pas përfundimit të testimeve përfundimtare”, theksoi Hoxha.



