BotaEkonomiLajme

Kina e Gjermania, të gatshme të promovojnë marrëveshjen e investimeve Kinë-BE

Presidenti kinez Xi Jinping dhe kancelarja gjermane Angela Merkel ranë dakord gjatë një bisede telefonike të premten të bëjnë përpjekje të përbashkëta për promovimin e marrëveshjes së investimeve Kinë-BE.

Kina dhe Gjermania kanë nxitur së bashku përfundimin e negociatave të marrëveshjes së investimeve Kinë-BE siç ishte planifikuar. Të dy vendet mbrojnë multilateralizmin, mbështetin tregtinë e lirë, përballen aktivisht me ndryshimet e klimës dhe japin një kontribut të madh pozitiv për paqen dhe stabilitetin global, tha Xi.

Ai theksoi se arsyeja e bashkëpunimit të suksesshëm midis Kinës dhe Gjermanisë është që të dy palët respektojnë njëra-tjetrën, kërkojnë terren të përbashkët duke lënë dallimet, fokusohen te bashkëpunimi me përfitime të ndërsjella dhe plotësojnë pikat e forta të njëri-tjetrit.

Xi vuri në dukje se prej vitit 2020, Kina dhe Gjermania kanë mbajtur shkëmbime të shpeshta e efikase, dhe lidhjet dypalëshe pasqyrojnë nivelin e lartë të besimit reciprok.

“Unë i vlerësoj shumë përpjekjet aktive të zonjës Merkel për të promovuar bashkëpunimin praktik dhe shkëmbimet miqësore midis Gjermanisë e Evropës me Kinën,” tha ai.

Xi shtoi se vitet e fundit, marrëdhëniet Kinë-Gjermani kanë qenë në përgjithësi të qëndrueshme, dhe përballë pandemisë, bashkëpunimi në të gjitha fushat ka treguar elasticitet të fortë, duke u sjellë të dy popujve përfitime konkrete.

Presidenti kinez shprehu gjithashtu shpresën se Gjermania do të nxitë BE-në që t’i përmbahet politikës korrekte ndaj Kinës, t’i shikojë dallimet në mënyrë objektive dhe t’i trajtojë ato në mënyrë të arsyeshme, për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të marrëdhënieve Kinë-BE.

Nga ana e saj, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se marrëveshja e investimeve BE-Kinë është e dobishme për të dyja palët dhe se Gjermania shpreson që kjo marrëveshje do të ratifikohet dhe do të hyjë në fuqi sa më shpejt.

Gjermania është e gatshme të mbajë komunikim të ngushtë me Kinën dhe të bëjë përpjekje të përbashkëta për të nxitur të dy palët, si edhe BE-në e Kinën, për të kapërcyer dallimet dhe për të trajtuar siç duhet dallimet nëpërmjet dialogut, shtoi kancelarja gjermane.

Sipas saj, Gjermania shpreson të forcojë bashkëpunimin me Kinën në fushën e vaksinave.

Të dy liderët gjithashtu shkëmbyen pikëpamje mbi çështjen e Afganistanit.

Xi theksoi se Kina mbron bashkëjetesën dhe mësimin e ndërsjellë midis qytetërimeve, duke kundërshtuar ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera, dhe është e gatshme të bëjë përpjekje konstruktive me Gjermaninë dhe anëtarë të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare për të realizuar paqen dhe stabilitetin në Afganistan.

Merkeli theksoi se Gjermania shpreson të forcojë komunikimin dhe bashkëpunimin me Kinën nën kornizat shumëpalëshe si OKB-ja.

Show More

Related Articles

Back to top button
Close
Close