
Inter dhe Dimarco kanë ndërmend të vazhdojnë bashkëpunimin mes tyre. Në agjendën e klubit zikaltër rinovimi me futbollistin e krahut të majtë është prioritar, por askush nuk e ka me ngut pasi Interi ka avantazhin për rinovimin e njëanshëm të kontratës së tij deri në 2028.
Në fakt objektivi i kampionëve të Italisë është ulja në tryezën e bisedimeve me futbollistin për nënshkrimin e një kontrate deri në 2030. Futbollisti italian vlerësohet nga disa klube duke parë edhe paraqitjet e tij me klubin zikaltër sidomos në sezonin e fundit ku vendosi rekordin e asisteve në Serie A dhe madje u shpall edhe futbollisti më i mirë i kampionatit italian.
Mes klubeve që ka vënë në shënjestër Dimarcon është Manchester City i cili e tentoi ta marrë edhe në kohën kur në pankinë ishte Pep Guardiola. Por lidhja e Dimarcos me Interin shkon përtej fushës së lojës dhe kështu që rinovimi i kontratës së tij me zikaltrit nuk duket se do të jetë një problem. Dimarco për momentin përfiton një pagë prej 4 milionë euro në vit shifër së cilës i shtohen 700 mijë euro në formën e bonuseve e për më tepër ai nuk ka asnjë klauzolë në kontratën me skuadrën milanezë. Një rritje e pagës së lojtarit është mëse e imagjinueshme duke parë rëndësinë që ai ka në skemën e lojës së Interit.
Ndërkaq, përsa i përket përforcimeve, për Interin komplikohet çështja Romero që dukej se ishte virtualisht e mbyllur. Mbrojtësi argjentinas dëshiron Atletico Madrid dhe klubi spanjoll e dëshiron atë. Avantazhi i Los Colchoneros kundrejt Interit është se ata mund të veprojnë menjëherë; pas largimit të Molinës te Roma dhe duke qenë se edhe Ruggeri është pranë transferimit te Aston Villa, klubi madrilen ka fonde për të derdhur në arkat e Tottenham, ndërkohë që Interi për momentin varet nga largimi i Benjamin Pavard.



