LajmeRajon

Inspektoratet shëndetësore të Kosovës e Shqipërisë këmbejnë përvojat dhe zhvillojnë inspektime të përbashkëta

Një delegacion i Inspektoratit Shëndetësor të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga kryeinspektorja, Vjollca Braho, është duke qëndruar për një vizite punë në Republikën e Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit midis inspektorateve nga Kosova dhe Shqipëria.

Delegacioni nga Shqipëria është pritur nga Zëvendësministri i Shëndetësisë, dr. Arsim Berisha dhe Sekretari i Përgjithshëm i MSh-së, Naim Bardiqi, të shoqëruar nga ushtruesi i detyrës së zëvendës-kryeinspektorit Shëndetësor në Kosovë,  Shaban Osmanaj dhe këshilltari i ministres Gexha, Drin Podrimqaku.

“Gjatë bashkëbisedimit në Ministri të Shëndetësisë, zëvendësministri Berisha dhe Sekretari Bardiqi kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit midis dy inspektorateve në veçanti gjatë pandemisë COVID-19, për të kontribuar drejtpërdrejt në zbatimin e masave anti -COVID-19 në të dy vendet si rruga e duhur për t’u ballafaquar me sukses me sfidën që ka kërcënuar seriozisht shëndetin publik në nivel global dhe kombëtar”, thuhet në njoftimin e bërë për media.

Zëvendësministri Berisha theksoi se ky është një segment i bashkëpunimit në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta midis dy qeverive respektive.

Kryeinspektorja Braho tha se delegacioni nga Shqipëria është në Kosovë për të këmbyer eksperiencat në fushën e inspektimeve me qëllim që të dy inspektoratet ta ndihmojnë njëri-tjetrin.

Para takimit në MSh, delegacioni nga ISh i Shqipërisë ka zhvilluar një takim pune në Inspektoratin Shëndetësor ku janë trajtuar sfidat e dy inspektorateve dhe përvojat e inspektimeve dhe monitorimit gjatë COVID-19.

Gjatë qëndrimit dy ditor, të dy inspektoratet do të zhvillojnë inspektime të përbashkëta në disa komuna të Kosovës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close