
Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviq, ka kërkuar falje ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut, pasi deklarata e saj për “spastrimin etnik të Kosovës” shkaktoi reagime brenda dhe jashtë vendit.
“Kjo ishte historia ime, jo një deklaratë politike. Është e pakëndshme të më duhet të shpjegoj se kjo nuk është politika e presidentit apo e qeverisë”, ka thënë ajo në një intervistë për “Informer TV”.
Paunoviq e quajti paradoks edhe vendimin e Kosovës për ta shpallur “non grata”, duke thënë se ndalimi i përhershëm i hyrjes në Kosovë është vendosur nga, siç i quajti ajo, “institucionet e përkohshme të Kosovës”. Ajo shtoi se prej katër vjetësh nuk ka mundur të hyjë në Kosovë.



