
Pas muajsh negociatash intensive, Hamasi ka pranuar për herë të parë një kornizë të planit të paraqitur nga Bordi i Paqes për çarmatimin e plotë në Rripin e Gazës.
Sipas planit, armët e rënda që i kanë mbetur Hamasit do të regjistrohen dhe ruhen nën mbikëqyrjen e autoriteteve palestineze, një veprim që mund të largojë pengesën kryesore për avancimin e nismës së paqes për Gazën, të mbështetur nga presidenti amerikan Donald Trump, raporton BBC.
Ky zhvillim vjen pak kohë pasi Hamasi përfundoi zgjedhjet e brendshme të udhëheqjes, duke zgjedhur në krye të lëvizjes liderin me bazë në Gaza, Khalil al-Hayya.
Zyrtarë palestinezë të përfshirë në bisedime vlerësojnë se udhëheqja e re ka qenë e gatshme të marrë vendimin më të rëndësishëm politik në historinë e Hamasit, e nxitur nga gjendja e rëndë humanitare me të cilën përballen mbi dy milionë palestinezë në Gaza.
Një zyrtar i lartë i Hamasit, pjesë e ekipit negociator, tha për BBC se bisedimet kanë qenë “të gjata dhe jashtëzakonisht të vështira”. Sipas tij, Hamasi këmbënguli që në marrëveshje të përdorej formulimi “regjistrimi dhe ruajtja e armëve” nën mbikëqyrje palestineze, në vend të dorëzimit të tyre Izraelit.
Megjithatë, mbetet ende herët për të vlerësuar nëse marrëveshja do të zbatohet plotësisht dhe nëse të gjitha palët do t’u përmbahen angazhimeve të marra.
Nëse plani realizohet, ai mund të përbëjë hapin e parë të besueshëm drejt përfundimit të luftës që ka zgjatur pothuajse tre vjet dhe të hapë rrugën për një proces më të gjerë politik.
Në Gaza, njoftimi është pritur me pak entuziazëm nga qytetarët. Pas viteve të armëpushimeve të dështuara dhe marrëveshjeve të parealizuara, shumë palestinezë mbeten skeptikë ndaj zhvillimeve të reja politike.
Shumë banorë kanë deklaruar se janë më pak të interesuar për detajet e negociatave dhe më shumë për faktin nëse kjo marrëveshje do t’i japë fund luftës, do t’u mundësojë familjeve të zhvendosura të kthehen në shtëpitë e tyre dhe do të sjellë lehtësim të qëndrueshëm. Për një pjesë të madhe të tyre, besimi si ndaj Hamasit ashtu edhe ndaj Izraelit mbetet i ulët, pasi marrëveshjet e mëparshme janë shembur vazhdimisht pa sjellë përmirësime të prekshme në terren.



