
VMRO‑DPMNE akuzon se Filipçe dhe LSDM për vite me radhë i kanë fshehur analizat për ujë të ndotur, ndërsa qytetarët nuk kanë qenë të informuar se kanë konsumuar ujë të pasigurt për pije.
Sipas partisë, qytetarët për një periudhë të gjatë kanë qenë të ekspozuar ndaj rrezikut, ndërkohë që Venko Filipçe, si ministër i Shëndetësisë, ka disponuar me informacione për qindra raste të ujit të papërshtatshëm, pa u njoftuar publikisht.
„Rreth 400 testime të ujit për pije kanë konstatuar parregullsi të ndryshme, ndërsa institucionet nuk kanë ndërmarrë masa të duhura dhe nuk i kanë paralajmëruar qytetarët në kohë. Kjo hap pyetje serioze për përgjegjësinë institucionale dhe mënyrën e mbrojtjes së shëndetit publik.
Venko Filipçe përpiqet të flasë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, ndërkohë që ka ditur për këto analiza dhe ka heshtur. Dokumentet tregojnë se pikërisht në periudhën kur Filipçe ishte ministër, Ministria e Shëndetësisë ka pasur raporte për ujë të pasigurt, ndërsa publiku ka mbetur pa informacione.“
Partia prezanton disa raste konkrete:
12.08.2021 – Uji në një çezmë në shtëpinë e shëndetit në M. Kameniça ka rezultuar i papërshtatshëm.
27.07.2021 – Është konstatuar ujë i papërshtatshëm në çezmën para shkollës në fshatin Gumalevë, Komuna e Zelenikovës.
29.06.2021 – Në një mostër nga ujësjellësi lokal në Debarcë është konstatuar mungesë e klorit rezidual, duke e bërë ujin të pasigurt për pije.
11.05.2021 – Në Trebenishtë, Komuna Debarcë, është konstatuar kontaminim mikrobiologjik dhe prani e bakteries Escherichia coli.
06.07.2021 – Në qendrën rekreative Ponikva pranë Koçanit, analizat kanë treguar se uji nuk i plotëson standardet ligjore për shkak të numrit të shtuar të baktereve dhe pranisë së E. coli. Të gjitha këto, sipas VMRO‑DPMNE, i janë dërguar ministrit Filipçe.
Partia në pushtet pyet pse, nëse këto informacione kanë qenë të njohura për Ministrinë e Shëndetësisë, qytetarët nuk janë informuar.
„Pse Filipçe si ministër dhe LSDM kanë heshtur dhe nuk e kanë zgjidhur problemin? Pse nuk janë ndërmarrë masa për eliminimin e rrezikut? Dhe pse sot ata që kanë heshtur përpiqen të mbajnë leksione për shëndetin publik?
A ka shkelur Venko Filipçe, si ministër dhe si mjek, Betimin e Hipokratit, duke lejuar që qytetarët të konsumojnë ujë që ka paraqitur rrezik për shëndetin e tyre?“
Sipas VMRO‑DPMNE, heshtja kur ekzistojnë informacione për ujë të pasigurt nuk duhet të mbetet pa përgjegjësi.
Ata informojnë se janë dorëzuar kallëzime në Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe presin që Prokuroria Publike ta hetojë tërësisht rastin, të konstatojë nëse ka pasur fshehje të informacioneve dhe nëse mosveprimi ka rrezikuar shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
„Përgjegjësia duhet të ekzistojë. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, pavarësisht funksionit që ka ushtruar“, thuhet në kumtesë.



