
Fati i operacioneve ndërkombëtare të Lukoil mbetet i pasigurt në dy javët e ardhshme pasi kompania zvicerane Gunvor tërhoqi ofertën e saj për të blerë asetet jashtë vendit të Lukoil. Tregtari zviceran Gunvor tha të enjten se kishte tërhequr propozimin e tij për të blerë asete të huaja të kompanisë ruse të energjisë Lukoil, pasi Departamenti i Thesarit i SHBA-së e quajti atë një “kukull” ruse dhe sinjalizoi se Uashingtoni e kundërshtoi marrëveshjen, kumtoi Rojters. Pasi SHBA-të sinjalizuan se nuk e mbështesnin blerjen e Gunvor, drejtori i çështjeve të korporatave të firmës me seli në Gjenevë, Seth Pietras, njoftoi se deklarata e Departamentit të Thesarit të SHBA-së ishte thelbësisht e gabuar dhe e pasaktë. “Kompania mirëpret mundësinë për të korrigjuar një keqkuptim të dukshëm. Ndërkohë, Gunvor po tërheq ofertën e saj për asetet ndërkombëtare të Lukoil”, tha Pietras.
Kjo ia ndërpret atë që mund të jetë blerja më e madhe e Gunvor deri më tani, ndërsa Amerika përdor embargon për të izoluar Rusinë dhe për të ulur të ardhurat e Moskës që ajo mund t’i përdorë për luftën në Ukrainë. Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Lukoil dhe rivalit më të madh Rosneft (ROSN.MM), si pjesë e përpjekjeve të Presidentit Donald Trump për ta ulur Rusinë në tryezën e negociatave për Ukrainën. “Mesazhi i ashpër i Thesarit është një sinjal për tregun se ata që vënë bast për një normalizim të shpejtë të tregtisë ruse të energjisë do të zhgënjehen”, tha Geoffrey Pyatt, drejtor i lartë menaxhues në McLarty Associates dhe ish-ndihmës sekretar shteti i SHBA-së për burimet energjetike.
Analistët dhe drejtuesit e naftës thanë se Lukoil ka të ngjarë të detyrohet të shesë asetet me zbritje të mëdha deri në afatin e fundit të Thesarit më 21 nëntor që kompanitë të ndërpresin lidhjet e biznesit me firmën, ndoshta me një kompani të madhe perëndimore.
Në Maqedoni që nga java e kaluar kartelat Visa dhe Diners nuk mund të përdoren në stacionet e benzinës Lukoil. Akoma nuk janë të qarta deri në fund se cilat do të jenë pasojat për Maqedoninë nëse shitja e Lukoil nuk ndodh brenda dy javëve të ardhshme. Autoritetet thonë se po e monitorojnë situatën dhe sigurojnë se furnizimi i vendit me naftë nuk do të kërcënohet.
Megjithatë, këto sanksione ndikojnë në çmimet e tregut të aksioneve, të cilat, së bashku me kursin e këmbimit të dollarit, merren parasysh gjatë formimit të çmimit me pakicë të derivateve të naftës.
Shumica e derivateve të naftës së vendit vijnë përmes Greqisë. Çdo vendim i mëvonshëm në lidhje me Lukoil nuk do të ketë ndikim në tregun e naftës në Maqedoni, thotë kreu i rregullatorit, Marko Bislimovski.
Qeveria i tha gjithashtu se nuk presin që sanksionet amerikane të kenë ndikim në furnizimin me derivate të naftës. Megjithatë, globalisht, siç theksojnë ata, ato mund të kenë një efekt dytësor – duke pasur parasysh se pritet një rritje e çmimeve të bursës. Duke shtuar se furnizimi i Maqedonisë me derivate të naftës do të mbetet i qëndrueshëm, çmimet mund të rriten pak, por nuk do të ketë ndërprerje të mëdha, për shkak të gamës së alternativave të importit. “Në Maqedoni, shumica, rreth 80 për qind e sasive të furnizuara, vijnë nga Greqia, dhe rreth 7 deri në 8 për qind, për shkak të Lukoil, vijnë nga Bullgaria. Maqedonia nuk do të preket nga këto sanksione në asnjë mënyrë, sepse kompanitë nga të cilat nafta vjen në Maqedoni nuk preken nga këto sanksione, siguria e furnizimit me derivate të naftës është e garantuar dhe në periudha shumë më të vështira disa vite më parë, kur kriza energjetike ishte në kulmin e saj, nuk kishte kërcënim për furnizimin e rregullt të derivateve të naftës”, tha Presidenti i Komisionit Rregullator të Energjisë, Marko Bislimovski.
Lukoil ka 40 stacione karburanti dhe punëson rreth 550 persona. Sipas raportit të vitit 2024 të Komisionit Rregullator të Energjisë, Lukoil importon rreth 8 për qind të derivateve të naftës në vend, mban gati 11 për qind të tregut të derivateve të naftës dhe mbi 15 për qind të shitjeve me pakicë. Ajo importon derivate të naftës në vend nga rafineria e saj në qytetin bullgar të Burgasit, më e madhja në Ballkan, e cila është gjithashtu e prekur nga sanksionet.
Më pak se dy javë para se të hyjnë në fuqi sanksionet amerikane kundër Lukoil dhe Rosneft, autoritetet po përpiqen të negociojnë koncesione për tregun bullgar me administratën e Donald Trump. Partia në pushtet tashmë po shqyrton mundësinë që shteti të blejë rafinerinë, ndërsa opozita po kritikon ndryshimet e shpejta në kompetencat e “guvernatorit special”. Pas pasioneve të trazuara politike në parlament për shkak të sanksioneve ndaj Lukoil, qëllimi kryesor i partisë në pushtet është të sigurojë që rafineria të mos ndalojë së funksionuari pas 21 nëntorit. Kjo ka bërë të nevojshme edhe ndryshime të jashtëzakonshme në kompetencat e guvernatorit të posaçëm, të miratuara në dy lexime brenda pak orësh.
Parlamenti i Bullgarisë miratoi të premten një ndryshim në ligj që do t’i lejojë qeverisë të marrë kontrollin e rafinerisë së naftës në Burgas të Lukoil dhe ta shesë atë për të mbrojtur uzinën nga ndikimi i sanksioneve të SHBA-së. Sipas rishikimit, një menaxher i posaçëm komercial i emëruar nga qeveria do të jetë në gjendje të mbikëqyrë funksionimin e vazhdueshëm të rafinerisë së Lukoil në Bullgari përtej 21 nëntorit. (koha.mk)



