LajmeSport

“Franca nuk ka francezë”/ Deklarata e bujshme e ish-kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez kërkon falje: Fitoftë më i miri dhe të humbasë racizmi

Pak ditë para përballjes mes Spanjës dhe Francës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, një debat politik ka shpërthyer mes dy vendeve, pas deklaratave të ish-kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy për kombëtaren franceze.

Kryeministri aktual i Spanjës, Pedro Sanchez, reagoi ashpër ndaj një komenti të Rajoy, duke e akuzuar për deklarata me përmbajtje ksenofobe.

Përmes një postimi në platformën X, Sanchez u shpreh: “Spanja u përket atyre që e duan dhe punojnë për të. Jo atyre që e çnderojnë me deklarata ksenofobe. Francë, shihemi në gjysmëfinale. Le të fitojë skuadra më e mirë dhe të humbasë racizmi.”

Reagimi i Sanchez erdhi pas një artikulli të publikuar nga Rajoy në gazetën “El Debate”, ku ish-kreu i qeverisë spanjolle komentoi ekipin kombëtar francez përpara sfidës me Spanjën.

Në shkrimin e tij, Rajoy vlerësoi nivelin e lartë të “Les Bleus”, por shtoi një koment që shkaktoi polemika: “Franca është një ekip i nivelit të lartë. Megjithatë, ata nuk kanë asnjë lojtar francez në radhët e tyre.”

Këto fjalë u interpretuan nga shumë figura politike franceze si një deklaratë me tone raciste, duke shkaktuar reagime të shumta.

Kreu i Partisë Socialiste Franceze, Olivier Faure, iu përgjigj duke theksuar se Franca nuk përcaktohet nga origjina apo ngjyra e lëkurës.

“Franca nuk është një komb etnik; nuk ka ngjyrë lëkure apo fe. Është një komb politik i bashkuar rreth motos republikane”, deklaroi Faure.

Edhe lideri i Partisë Komuniste Franceze, Fabien Roussel, reagoi ndaj deklaratave të Rajoy, duke thënë se ato përfaqësojnë një formë të hapur racizmi ndaj kombëtares franceze.

Në mesazhin e tij, Sanchez theksoi se përkatësia ndaj një vendi nuk duhet të lidhet me mbiemrin, vendin e lindjes apo ngjyrën e lëkurës.

“Ka nga ata që ende e matin ndjenjën e përkatësisë bazuar në mbiemrin, vendin e lindjes ose ngjyrën e lëkurës. Të tjerë e matin atë bazuar në rrënjët e tyre në një vend dhe dëshirën për të kontribuar në zhvillimin e tij”, shkroi kryeministri spanjoll.

Ai përmendi kontributet e qytetarëve në shoqëri, nga sporti te puna dhe sipërmarrja, duke shtuar se përballja Spanjë-Francë duhet të jetë një festë sportive.

“Francë, shihemi në gjysmëfinale. Le të fitojë skuadra më e mirë dhe të humbasë racizmi”, përfundoi Sanchez.

Related Articles

Back to top button
Close
Close