BotaLajme

Forcat polake, gaz lotsjellës ndaj emigrantëve që hedhin gurë në kufi

Përshkallëzohen tensionet me emigrantët në kufirin e jashtëm të BE-së midis Polonisë dhe Bjellorusisë. Ministria e Mbrojtjes e Polonisë publikoi një video ku shihet se forcat polake në fshatin lindor të Kuznicës kundërpërgjigjen me gaz lotsjellës ndaj emigrantëve që hedhin gurë përgjatë kufirit me Bjellorusinë.

“Emigrantët sulmuan ushtarët dhe oficerët tanë me gurë dhe po përpiqen të shkatërrojnë gardhin dhe të kalojnë në Poloni. Forcat tona përdorën gaz lotsjellës për të shuar agresionin e emigrantëve,” tha ministria e Mbrojtjes në Twitter.

Gjermania paralajmëron Bjellorusinë për emigrantët: Bashkimit Evropian nuk mund t’i bëhet shantazh
BE dhe SHBA kanë akuzuar Bjellorusinë se ka nxitur konfliktin dhe kjo ka sjellë edhe reagimin e udhëheqësit të Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i cili u shpreh se donte të shmangte konfrontimin.

“Ne nuk mund të lejojmë që ky i ashtuquajtur problem të çojë në konfrontim të nxehtë. Gjëja kryesore tani është të mbrojmë vendin dhe popullin tonë dhe të mos lejojmë përplasje”.

Ministrat e jashtëm të BE-së kanë rënë dakord që sanksionet ekzistuese që synojnë regjimin e Lukashenkos do të zgjerohen për të përfshirë individë ose kompani që do të zbulohet se kanë inkurajuar kalimet kufitare.

Me mijëra emigrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme, qendrojnë prej javësh në kufirin polak në temperatura të ulta. Brukseli thotë se lideri autoritar i Bjellorusisë ka joshur emigrantët në pragun e BE-së, akuza që Minsk i ka mohuar.

Related Articles

Back to top button
Close
Close