BotaKurioziteteLajme

‘Shpërthen’ gripi i shpendëve në Antarktidë, ngordhin mbi 13 mijë foka, pinguinë dhe zogj

Të paktën 13 mijë foka të vogla, pinguinë dhe zogj kanë ngordhur nga gripi i shpendëve në Antarktidë, ndërsa studiuesit paralajmërojnë se virusi po përhapet me shpejtësi edhe në rajonet më të izoluara të planetit.

Sipas të dhënave të mbledhura nga Programi Australian i Antarktidës (AAP), midis tetorit 2025 dhe janarit 2026 u identifikuan mijëra kufoma fokash përmes vëzhgimeve me dron në Ishullin Heard dhe Ishujt McDonald, territore të largëta subantarktike nën administrimin australian.

Këta ishuj, të vendosur rreth 4,000 kilometra në jugperëndim të Australisë, konsiderohen prej kohësh një strehë e rëndësishme për shpendët dhe gjitarët detarë.

Sipas studiuesve, nga rreth 17 mijë foka të vogla që jetonin në këtë zonë, afro 13 mijë kanë ngordhur, duke përfaqësuar 76% të popullsisë lokale. Në disa koloni të veçanta, shkalla e vdekshmërisë ka arritur deri në 97%.

“Ajo që ende nuk dimë është ndikimi i saktë që virusi ka pasur te popullata e fokave të rritura”, deklaroi Jarrod Hodgson, studiues i lartë në Programin Australian të Antarktidës.

Hulumtimet tregojnë se edhe qindra pinguinë mbretërorë në Ishullin Heard kanë ngordhur nga e njëjta sëmundje.

“Kjo është hera e parë që gripi i shpendëve dokumentohet në një rajon kaq të largët, çka tregon se virusi po zgjerohet në territore të reja”, tha biologja e jetës së egër, Julie McInnes.

Ajo shtoi se raste të ngjashme janë regjistruar edhe në ishuj të tjerë të Antarktidës, përfshirë Xhorxhinë Jugore, ku duket se fokat e elefantëve kanë qenë ndër speciet më të prekura.

Deri në shkurt 2026, Australia kontinentale dhe Zelanda e Re nuk kishin raportuar ende raste të variantit H5N1 të gripit të shpendëve, i cili është përhapur gjerësisht te shpendët në mbarë botën dhe ka infektuar gjithashtu disa lloje gjitarësh

Sipas studimit, virusi ka të ngjarë të jetë sjellë në Ishullin Heard dhe Ishujt McDonald nga kafshë të egra që migruan nga Ishujt Crozet, rreth 1,800 kilometra larg. Studiuesit vlerësojnë se ai mund të ketë mbërritur në zonë rreth muajit gusht të vitit 2025.

Related Articles

Back to top button
Close
Close