LajmeRajon

Fillon mësimi në Kosovë, nxënësit me distancë e maska

Të pajisur me maska dhe duke mbajtur distancën për mbrojtje ndaj virusit Covid-19, sot në disa shkolla të Prishtinës ka filluar mësimi.

Drejtoresha e shkollës “Faik Konica”, Jehona Oruqi ka thënë për KosovaPrress, se nën respektimin e masave kundër Covid-19, kjo shkollë sot ka filluar mësimin. Sipas saj, kjo shkollë ka respektuar masat si jashtë në oborrin e shkollës, me shenjëzimin e distancës që duhet mbajtur, po ashtu edhe brenda shkollës.

Ajo shtoi se si masë ndaj virusit Covid-19, Task Forca e shkollës ka dhënë urdhër që të mos lejohen as prindërit e fëmijëve, por as mediat që të futën në objektin e shkollës.

“Shkolla jonë ka marrë të gjitha masat e parapara nga ministria e arsimit, po ashtu edhe nga drejtoria komunale dhe protokollet të cilat i kemi tani në shkollë… Ne jemi pajisur edhe me maska, si nga drejtoria komunale, po ashtu edhe nga këshilli drejtues i shkollës, mirëpo nxënësit kanë ardhur me maskat e tyre, kështu që shkolla ka maska dhe mundet t’i furnizoj nxënësit të cilët nuk kanë maska… Nuk ka pasur probleme, të gjithë i kanë respektuar rregullat të cilat veçse i kemi prezantuar ditë me parë tek prindërit. Po ashtu, e kemi respektuar distancën, si jashtë në shënjëzime e po ashtu edhe brenda në shkollë”, ka thënë Oruqi.
Bazuar në vendimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/21 në kushte pandemie, ora e parë e mësimit, në të gjitha shkollat e Kosovës, do t’i kushtohet informimit dhe vetëdijesimit të nxënësve lidhur me pandeminë COVID-19.

MASH ka propozuar që më datën 14 shtator të fillojnë mësimin klasat 0, 1, 2, 3, 6, 10 në të gjitha shkollat në Republikën e Kosovës. Klasat 4 dhe 5 të fillojnë mësimin tërësisht në shkollë ose me mësim të kombinuar, varësisht nga kapaciteti i shkollës, vlerësuar nga DKA dhe institucionet arsimore.

Ndërsa, në fazën e dytë, më 21 shtator, të fillojë mësimi me mësim të kombinuar për klasat 7, 8, 9, dhe 11, 12, duke vijuar mësimin dy ditë në shkollë dhe tri ditë online/në distancë.

Të gjithë janë të obliguar të bartin maska dhe MASH ka ndarë rreth një gjysmë milioni maska në shkolla në Kosovë. /Kosovapress/

Related Articles

Back to top button
Close
Close