BotaLajmeTopLajm

Drithërimë: Biden paralajmëron pushtimin e Ukrainës nga Rusia në muajin shkurt

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka paralajmëruar se ekziston “një mundësi e qartë” që Rusia mund ta pushtojë Ukrainën muajin e ardhshëm, tha Shtëpia e Bardhë.

Presidenti Biden i bëri këto komente gjatë një bisede telefonike që zhvilloi të enjten me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

“Presidenti Biden tha se ka një mundësi të qartë se rusët mund ta pushtojnë Ukrainën në muajin shkurt”, tha Emily Horne, zëdhënëse e Këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

“Ai e ka thënë këtë publikisht dhe ne kemi paralajmëruar për këtë gjë për muaj të tërë”, shtoi ajo, transmeton BBC.

Gjatë kësaj bisede, Biden ka “riafirmuar gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve e partnerëve që të përgjigjen me vendosmëri nëse Rusia pushton më tej Ukrainën”, u tha në deklaratën e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti ukrainas Zelenskiy tha se me presidentin Biden ka “diskutuar lidhur me përpjekjet e fundit diplomatike për shtensionimin e situatës dhe u pajtuam për veprime të përbashkëta në të ardhmen”.

Grumbullimi i mbi 100,000 trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën ka rritur shqetësimet se Moska është duke u përgatitur që ta pushtojë Ukrainën.

Rusia mohon se po planifikon ndonjë sulm.
Muajin e kaluar, Rusia prezantoi kërkesat e sigurisë për NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara dhe kërkoi përgjigje me shkrim. Kërkesat kryesore ishin ndalimi i Ukrainës që të anëtarësohet në NATO dhe që aleanca ushtarake të mos zgjerohet nga lindja.

Por, më 26 janar, përmes një letre dërguar Qeverisë ruse, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken refuzoi kërkesën e Rusisë që Kievit t’i ndalohej që në të ardhmen të anëtarësohej në aleancën ushtarake. Megjithatë, SHBA-ja ofroi “në rrugë serioze diplomatike” për zgjidhjen e krizës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se pavarësisht se përgjigja e SHBA-së ka lënë pak vend për optimizëm, duke shtuar se “gjithmonë ka mundësi për vazhdim të dialogut dhe është në interes tonin dhe të amerikanëve”.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se përgjigja formale e SHBA-së nuk adreson “shqetësimin kryesor” të Rusisë lidhur me zgjerimin e NATO-s.

Më 28 janar, Blinken, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, paralajmëroi Rusinë për “pasoja masive” nëse e pushton Ukrainën.

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ia bërë të qartë Moskës se ka dy rrugë përpara: rrugën e diplomacisë dhe dialogut për të zgjidhur dallimet në mënyrë paqësore ose rrugën e agresionit, nëse është kjo që ajo e zgjedhë, do të pasojnë pasoja masive”, tha Blinken.

Ai po ashtu mbrojti vendimin për të tërhequr një pjesë të stafit të Ambasadës amerikane në Kiev dhe familjarëve të tyre dhe kërkesën që amerikanët ta shqyrtojnë mundësinë që të largohen nga Ukraina. Ai tha se ky vendim është marrë për t’u kujdesur për sigurinë e shtetasve amerikanë./REL

Related Articles

Back to top button
Close
Close