
Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar pasi Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) raportohet se ka ndaluar një anije që po kalonte nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Sipas agjencisë iraniane Tasnim, duke cituar një burim të informuar, forcat iraniane kanë ndërhyrë ndaj një anijeje me flamur tajlandez, pasi ajo dyshohet se ka injoruar paralajmërimet dhe ka tentuar të kalojë nëpër këtë rrugë ujore pa autorizim.
Ndërkohë, raportime të tjera bëjnë të ditur se Irani ka kryer sulme ndaj depove të municioneve dhe bazave ushtarake në veri të Irakut.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë shpërthime dhe zjarre në zonat e goditura.
Deri tani nuk ka detaje të plota mbi dëmet apo objektivat e sakta të sulmeve, shkruan skynews.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më strategjike të transportit detar në botë, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e furnizimeve globale me naftë.
Çdo incident ushtarak në këtë zonë shkakton shqetësime për sigurinë e tregjeve energjetike dhe lundrimit ndërkombëtar.
Zhvillimet e fundit vijnë në një periudhë tensionesh të larta mes Iranit dhe kundërshtarëve të tij rajonalë e ndërkombëtarë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po monitoron me kujdes situatën



