LajmeMaqedoni

Dimitrieska: Qeveria miraton Listën e Investimeve

Projektet në fushën e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, energjetikës, digjitalizimit, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, menaxhimit të ujërave dhe mjedisit përbëjnë Listën e parë përfundimtare të investimeve publike, të publikuar nga Ministria e Financave, ndërsa paraprakisht është miratuar nga Komiteti për Investime Publike dhe është miratuar nga Qeveria.

Ndër projektet janë rikonstruksioni dhe ndërtimi i Spitalit Klinik në Tetovë, Spitalit Klinik në Shtip, konviktit studentor dhe Fakultetit të Mjekësisë, si dhe spitalit në Kërçovë. Gjithashtu përfshihet edhe rikonstruksioni i pjesës qendrore të Korridorit Hekurudhor 8, në segmentin Shkup – Kërçovë, rikonstruksioni i linjës ekzistuese dhe ndërtimi i një linje hekurudhore të shpejtë përgjatë Korridorit 10, sistemi për ruajtjen e energjisë elektrike me bateri, sistemi për kontrollin e mbledhjes dhe monitorimit të të dhënave – SKADA, si dhe softueri për planifikimin e prodhimit dhe tregtimin e energjisë elektrike, Parku i erës Miravci, termocentrali me gaz i kombinuar në KME Manastir dhe zgjerimi i rrjetit të ngrohjes qendrore për qytetin e Manastirit, përmirësimi dhe rikonstruksioni i rrjetit të shpërndarjes së energjisë termike në Shkup, centrali fotovoltaik lundrues Shpilje, si dhe projekte të tjera.

Në Listën e parë të investimeve publike, në një pjesë të veçantë janë publikuar edhe projektet që tashmë janë në fazën e zbatimit, gjegjësisgt projektet për të cilat është marrë vendim për financim.

Nga Ministria e Financave për MIA-n sqarojnë se për listën është punuar për një periudhë më të gjatë. Iniciativat janë dorëzuar nga ana e institucioneve, ndërmarrjet publike dhe ndërmarrjet në pronësi të shtetit gjatë vitit të kaluar, pas së cilës është bërë verifikimi dhe vlerësimi, si dhe është hartuar propozim-lista, e cila më pas i është dorëzuar Komitetit për miratim dhe Qeverisë për miratim. I gjithë ky proces parashihet me Ligjin për Buxhetet dhe Rregulloren për menaxhimin e investimeve publike, dhe përbën bazën për vendosjen e një sistemi modern të menaxhimit të financave publike.

“Bëhet fjalë për një reformë shumë të rëndësishme në menaxhimin e financave publike, sa i përket mjeteve të dedikuara për investime publike, me çka në një mënyrë më të sistematizuar i qasemi realizimit të një iniciative të caktuar që vjen nga një institucion i caktuar. Institucionet i dorëzojnë Ministrisë së Financave iniciativa për ide projektesh, në Ministrinë e Financave, një ekip kontrollon plotësinë dhe cilësinë e idesë së projektit dhe jep mendim për realizimin dhe qëndrueshmërinë e saj, më pas, propozimet që vlerësohen pozitivisht i dorëzohen Komitetit për Investime Publike, i cili harton propozim-listën e investimeve publike dhe ia dorëzon Qeverisë për miratim përfundimtar”, deklaroi për MIA-n ministrja e Financave, Dimitrieska-Koçoska.

Ajo shton se duhet të kihet parasysh se projektet e publikuara në Listën e parë përfundimtare nuk përbëjnë një vendim përfundimtar për implementimin e tyre. Vendimet për financimin e këtyre projekteve do të merren në fazat e mëtejshme, në kuadër të mjeteve të disponueshme në buxhet, gjegjësisht në kuadër të mjeteve financiare të subjekteve publike që nuk janë shfrytëzues buxhetorë, dhe mbi të gjitha, në varësi të pjekurisë së projektit dhe prioriteteve të Qeverisë. Vlera e secilit projekt veçmas në këtë listë është mbi 5 milionë euro, ndërsa financimi dhe zbatimi i tyre do të realizohen gjatë disa viteve buxhetore.

“Në këtë mënyrë nuk do të përsëriten situatat e së kaluarës, kur një projekt fillonte, ndërsa më pas për shkak të përgatitjes së pamjaftueshme, kishte ngecje. Në këtë mënyrë, edhe planifikimi dhe realizimi i projekteve kapitale do të jetë më efikas, ndërsa nga ana tjetër, edhe menaxhimi i financave publike do të sjellë përfitime më të mëdha”, thekson ministrja Dimitrieska-Koçoska.

Related Articles

Back to top button
Close
Close