LajmeMaqedoniTopLajm

Dibër nga e Hëna gjimnazistët fillojnë me mësim fizik

Edhe dje në gjimnazin “28 Nëntori” në Dibër vazhdoi bojkoti i mësimit onlajn ashtu siç ishte edhe një ditë më parë. Në orët e mëngjesit nxënës dhe prindër protestuan para objektit të gjimnazit duke kërkuar që nga e hëna të fillojë mësimi me prezencë fizike. Protesta ishte e qetë, ndërsa drejtori i gjimnazit, Ramadan Imeri, i informoi të pranishmit se në marrëveshje me nxënësit, prindërit dhe arsimtarët, nga e hëna në këtë gjimnaz do të mbahet mësim me prezencë fizike.

“Gjimnazin e vizituan inspektorë dhe panë se të gjithë kushtet me mësim me prezencë fizike janë realizuar. Pata takim edhe me ministren e Arsimit dhe kompetentë të tjerë, të cilët thanë se gjimnazi i Dibrës i plotëson kushtet. Por, vendimi i Ministrisë përsëri është që në këtë gjimnaz të mbahet vetëm mësim onlajn”, theksoi para protestuesve drejtori i gjimnazit, Ramdan Imeri. Ai shtoi se të gjitha kushtet që janë paraparë me protokoll, në këtë gjimnaz janë prezent prandaj sqaroi se kërkesa e prindërve dhe nxënësve duhet të respektohet.

Vendimi që nga e hëna të mësohet me prezencë fizike u duartrokit nga të pranishmit dhe pastaj në mënyrë të qetë nxënësit dhe arsimtarët lëshuan oborrin e gjimnazit. Problemi i mënyrës së mësimit në shkollën e mesme komunale në Dibër u debatua edhe në seancën e Këshillit të Komunës Dibër. Me votim, këshilltarët i dhanë dritë jeshile vendimit që në gjimnaz mësimi të mbahet me prezencë fizike, por në vendim thuhet se fjalën e fundit duhet ta ketë Komisioni për sëmundje ngjitëse dhe Ministria e Arsimit. Në këtë seancë, epidemiologu Mentor Mela dhe infektologu Sefedin Duka theksuan se nuk duhet nxituar me vendimet. Mela tha se në Dibër për çdo ditë ka raste të reja të të sëmurëve nga Kovid-19, prandaj edhe gjimnazi duhet të respektoj vendimin e Komisionit dhe ministrisë. Në gjimnazin e Dibrës ku mësimi realizohet në gjuhën shqipe dhe maqedonase, numri i nxënësve është 538, nga të cilët mbi 160 janë nxënës në vitin e parë. Transmeton gazeta (Koha/V.S), përcjell TOP24

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
Close
Close