
Qendra Presidenciale e ish-presidentit amerikan Barack Obama hapi zyrtarisht dyert për publikun në Çikago, në një ceremoni madhështore ku morën pjesë katër ish-presidentë amerikanë, figura të njohura politike dhe dhjetëra artistë të famshëm.
Megjithatë, vëmendjen më të madhe e tërhoqën mesazhet e forta politike të Barack dhe Michelle Obama, të cilët kritikuan në mënyrë të tërthortë presidentin aktual të SHBA-së, Donald Trump.
Në ceremoni ishin të pranishëm Joe Biden dhe bashkëshortja e tij Jill Biden, Bill Clinton dhe Hillary Clinton, si dhe George W. Bush dhe Laura Bush. Mungesa e Trumpit u komentua gjerësisht, pasi ai nuk ishte i ftuar në aktivitet.
Sipas një sondazhi të publikuar nga CNN, Obama vazhdon të gëzojë popullaritet më të lartë se pasardhësit e tij në Shtëpinë e Bardhë. Ish-presidenti demokrat ka 57% vlerësime pozitive, ndërsa Trump 34% dhe Biden 30%.
Michelle Obama mbajti një nga fjalimet më të forta të mbrëmjes, duke iu referuar kritikave dhe teorive të konspiracionit që Trump kishte përhapur ndër vite ndaj bashkëshortit të saj. Ajo kujtoi akuzat e pabaza se Obama nuk kishte lindur në Shtetet e Bashkuara dhe vlerësoi arritjet e tij në drejtimin e vendit.
“Sa absurde është të imagjinosh se ai mund të ishte dorëzuar para presionit. Sa absurde është të imagjinosh se ai mund të kishte bërë diçka tjetër përveçse ta bënte familjen tonë dhe të gjithë vendin tonë krenar”, tha ajo.
Më tej, Michelle Obama renditi disa nga sukseset më të rëndësishme të presidencës së bashkëshortit të saj, duke përfshirë reformën në shëndetësi, rimëkëmbjen ekonomike, përfundimin e një lufte dhe fitimin e Çmimit Nobel për Paqen.
“Ju punuat për njerëzit. Ju shpëtuat ekonominë tonë, zgjeruat kujdesin shëndetësor, i dhatë fund një lufte, urdhëruat bastisjen ndaj Bin Ladenit, shpëtuat industrinë e automobilave dhe fituat një çmim paqeje”, deklaroi ajo mes duartrokitjeve të të pranishmëve.
Edhe Barack Obama mbajti një fjalim me tone politike, duke theksuar rëndësinë e demokracisë, institucioneve dhe transferimit paqësor të pushtetit. Pa e përmendur emrin e Trumpit, ai foli për nevojën që ushtria dhe forcat e rendit t’i shërbejnë Kushtetutës dhe qytetarëve, jo një lideri apo partie politike.
“Besimi në kontrollet dhe balancat e qeverisë sonë, në një gjyqësor të pavarur dhe një shtyp të lirë, si dhe besimi në transferimin paqësor të pushtetit pas zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë themelet e demokracisë sonë”, tha Obama.
Ai paralajmëroi gjithashtu kundër cinizmit dhe humbjes së besimit te procesi demokratik, duke theksuar se kur qytetarët humbasin besimin te vota dhe institucionet, hapet rruga për politikanë që e shohin pushtetin si mjet për të ndëshkuar kundërshtarët dhe për të favorizuar interesat e tyre.
Në ceremoni morën pjesë edhe figura të rëndësishme ndërkombëtare si Angela Merkel, Justin Trudeau dhe Matteo Renzi.
Ngjarja u shndërrua gjithashtu në një spektakël kulturor, me pjesëmarrjen e artistëve të njohur si Tom Hanks, Anne Hathaway, Steven Spielberg dhe George Lucas.
Programi muzikor përfshiu interpretime nga Bruce Springsteen, Stevie Wonder, Christina Aguilera, Jennifer Hudson, Bono, The Edge dhe Eddie Vedder.
Megjithëse Donald Trump mungoi në aktivitet, mesazhet e përcjella nga Barack dhe Michelle Obama e kthyen inaugurimin e qendrës presidenciale në një ngjarje me ngarkesë të fortë politike, duke rikthyer në qendër të debatit rivalitetin e gjatë mes ish-presidentit demokrat dhe presidentit aktual amerikan.



