
Analisti dhe publicisti Lutfi Dervishi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me emërtimet e rrugëve dhe hapësirave publike në Tetovë, duke vlerësuar se çdo përpjekje për të cenuar frymën e Marrëveshjes së Ohrit përbën rrezik për marrëdhëniet ndëretnike dhe stabilitetin e vendit, shkruan gazeta KOHA.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Dervishi thekson se të drejtat që shqiptarët gëzojnë sot nuk janë rezultat i vullnetit të institucioneve të kohës, por i proceseve historike që çuan në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut duket se ka harruar një të vërtetë historike: të drejtat që shqiptarët gëzojnë sot nuk ua dhanë as ligjet dhe as kushtetuta e kohës, por një konflikt i armatosur që e bëri të pashmangshme Marrëveshjen e Ohrit”, shkruan Dervishi.
Sipas tij, vendime që prekin identitetin dhe përfaqësimin e shqiptarëve në hapësirën publike nuk mund të trajtohen vetëm si çështje juridike, pasi ato bartin pasoja më të gjera politike dhe shoqërore.
“Prandaj çdo përpjekje për të zhbërë frymën e saj, qoftë edhe përmes vendimeve që prekin identitetin dhe përfaqësimin e shqiptarëve në hapësirën publike, nuk është thjesht interpretim juridik, por rihapje e një plage që po mbyllej”, thekson ai.



