
Haqim Ramadani ka reaguar publikisht ndaj një lajmi të publikuar nga portali TetovaSot, duke mohuar kategorikisht pretendimet se është arrestuar apo shoqëruar nga policia.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Ramadani thekson se bëhet fjalë për një informacion “tërësisht të pavërtetë, tendencioz dhe dashakeq”, i cili, sipas tij, synon të manipulojë opinionin publik dhe të dëmtojë reputacionin e tij.
Ai sqaron se ka qenë në Spitalin Klinik të Tetovës vetëm për shkak të gjendjes shëndetësore të një familjari të afërt dhe mohon se ka pasur çfarëdo zënke verbale apo incidenti me stafin mjekësor.
“Është e papranueshme që pa asnjë verifikim të fakteve të publikohen akuza të pavërteta, duke cenuar dinjitetin tim. Gazetaria nënkupton përgjegjësi, profesionalizëm dhe respektim të së vërtetës, e jo përhapje të lajmeve të rreme”, shkruan Ramadani.
Ai i bën thirrje portalit TetovaSot dhe pronarit të tij, Rami Mislimi, që ta tërheqin lajmin dhe t’u kërkojnë falje publike lexuesve dhe opinionit për, siç thotë ai, dezinformimin e publikuar.
Në fund, Ramadani njofton se rasti tashmë është paraqitur në organet kompetente dhe se pret që ato të veprojnë në përputhje me ligjin.



