LajmeSport

Courtois largohet me lot nga fusha, portieri belg dëmtohet ndaj Spanjës

Belgjika ka marrë një goditje të rëndë gjatë çerekfinales së Kupës së Botës 2026 ndaj Spanjës. Portieri Thibaut Courtois u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 71-të për shkak të një dëmtimi në zonën e kuadricepsit të këmbës së majtë.

Gardiani belg u shtri në fushë pak para pushimit të shkurtër për hidratim dhe mori ndihmën e stafit mjekësor. Megjithatë, pas ndërprerjes së lojës, ai nuk ishte më në gjendje të vazhdonte dhe kërkoi zëvendësimin.

Në vend të Courtois u aktivizua Senne Lammens, portieri i Manchester United, i lindur në vitin 2002, i cili regjistroi paraqitjen e tretë me kombëtaren belge.

Momenti i largimit të Courtois ishte tepër emocional. Portieri u drejtua drejt pankinës me lot në sy, i zhgënjyer nga dëmtimi në një ndeshje kaq të rëndësishme. Atje ai u përqafua nga shokët e skuadrës dhe u ngushëllua edhe nga trajneri Rudi Garcia.

Mbetet për t’u parë shkalla e dëmtimit të portierit 34-vjeçar dhe nëse ai do të jetë i gatshëm për sfidat e ardhshme me Belgjikën.

Related Articles

Back to top button
Close
Close