LajmeSport

Çmimet e ekzagjeruara/ La Liga ngre alarmin për Premier League: Po krijohet një flluskë që pritet të shpërthejë

Premier League vazhdon të dominojë tregun europian të transferimeve, por shpenzimet marramendëse të klubeve angleze kanë ngritur shqetësime serioze në LaLiga. Drejtuesit e futbollit spanjoll paralajmërojnë se modeli financiar i përdorur në Angli mund të krijojë një “flluskë” që, nëse nuk ndërhyhet në kohë, mund të shkaktojë pasoja për të gjithë futbollin europian.

Në sezonin 2025-26 klubet angleze shpenzuan rreth 4.06 miliardë euro, ndërsa në Spanjë shifra ishte rreth 800 milionë euro. Edhe në merkaton aktuale, Premier League ka kaluar tashmë 2.8 miliardë euro shpenzime. Pikërisht ky ritëm ka bërë që LaLiga të ngrejë alarmin.

Sipas saj, Premier League po lejon klubet të shpenzojnë në nivele që mund të mos jenë të qëndrueshme në raport me të ardhurat e tyre.

“Kontrolli ekonomik që ka Premier League është ai që kishte LaLiga 15 vite më parë. Klubet bëjnë çfarë të duan gjatë sezonit dhe vetëm në fund analizohen pasojat”, deklaron Alonso.

Shqetësimi kryesor lidhet me faktin se klubet angleze mund të mbulojnë humbjet përmes kapitalit të injektuar nga pronarët. Vetëm në sezonin 2024-25, sipas të dhënave të LaLiga-s, klubet e Premier League regjistruan rreth 2.027 miliardë euro humbje, të cilat u mbuluan nga aksionarët.

Ndërkohë, në Spanjë sistemi i kontrollit ekonomik është shumë më kufizues, duke synuar që klubet të mos ndërtojnë buxhete të bazuara në humbje të vazhdueshme.

Një tjetër shqetësim i LaLiga-s është ndikimi që kjo politikë ka në tregun ndërkombëtar të transferimeve. Shpenzimet e larta të klubeve angleze mund të rrisin artificialisht çmimet e futbollistëve dhe të detyrojnë edhe klubet e ligave të tjera të paguajnë më shumë.

Alonso paralajmëron edhe për një tjetër mekanizëm që mund të përdoret për të përmirësuar bilancet financiare: shitjet me vlera shumë të larta mes vetë klubeve angleze.

Sipas saj, një klub mund të blejë një futbollist për një shumë të madhe dhe më pas një tjetër klub anglez të bëjë një operacion të ngjashëm, duke krijuar në bilance fitime që nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht vlerën reale të tregut.

“Do të krijojë inflacion në treg. Sa më shumë të shesin dhe sa më të larta të jenë shifrat, aq më i mirë do të jetë raporti i tyre financiar. Kjo do të shtyjë çmimet e transferimeve edhe më lart dhe do të ketë efekt zinxhir në ligat e tjera”, shprehet ajo.

Shifrat e merkatos së këtij viti tregojnë qartë këtë trend. Transferimi i Morgan Rogers te Chelsea për rreth 138 milionë euro dhe operacione të tjera me vlera shumë të larta kanë rritur edhe më tej temperaturën e tregut anglez.

Por shqetësimi i LaLiga-s nuk lidhet vetëm me çmimet e futbollistëve. Në Madrid druhen se modeli i bazuar në investime të vazhdueshme nga pronarët mund të kthehet në problem nëse këta të fundit vendosin të mos injektojnë më kapital.

“Kur aksionarët kanë investuar para dhe nuk mund ta rikuperojnë investimin sepse nuk ka blerës të rinj për klubet, në një moment mund të mbyllin rubinetin”, paralajmëron Alonso.

Sipas saj, shenjat e para janë shfaqur tashmë me ngadalësimin e blerjeve të klubeve angleze nga investitorë të rinj, përfshirë fondet e mëdha ndërkombëtare.

Rreziku bëhet edhe më i madh për klubet që mund të bien nga Premier League në Championship. Të ardhurat reduktohen ndjeshëm pas rënies nga kategoria, ndërsa detyrimet financiare të krijuara gjatë viteve në elitë mbeten.

“Nëse klubet nuk janë të shëndosha financiarisht dhe nuk janë në gjendje të paguajnë me të ardhurat që gjenerojnë, do të ketë një kolaps”, paralajmëron drejtuesja e LaLiga-s.

Në Spanjë besojnë se ndërhyrja e autoriteteve britanike mund të shmangë skenarin më të keq. Përndryshe, paralajmërimi është i qartë: nëse modeli aktual vazhdon pa kufizime, disa klube të Premier League mund të përballen me vështirësi serioze financiare dhe efektet mund të shtrihen përtej Anglisë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close