
Pas njoftimeve në disa media se sipas programeve mësimore të reja për arsimin fillor, fëmijët në klasën e dytë do të mësojnë për identitetet, Byroja për Zhvillimin e Arsimit (BZHA), e cila këto ditë i publikoi programet mësimore për klasën e dytë dhe të pestë, përgjigjet se po plasohen informacione të gabuara. BZHA-ja thotë se fokusi është në standardet kombëtare dhe jo në rezultatet e të mësuarit të specifikuara përmes standardeve të vlerësimit në secilën program mësimor të caktuar.
“Standardet kombëtare përbëhen nga njohuritë, aftësitë dhe qëndrimet, pra vlerat e bazuara në tetë fusha të kompetencave kyçe për të mësuarit përjetshëm që nxënësit duhet të fitojnë deri në fund të arsimit fillor. Në procesin arsimor, çdo lëndë në çdo klasë, si dhe veprimtaritë jashtëshkollore në shkollë, merr pjesë, sipas moshës së nxënësve dhe specifikave të lëndës, në përvetësimin e atyre kompetencave. Në çdo program mësimor të një lënde të caktuar, saktësohet se çfarë duhet të mësojë nxënësi në atë lëndë në klasën e caktuar. Kjo shihet përmes rezultateve të të mësuarit dhe standardeve të vlerësimit të përshkruara në programin mësimor”, thekson Byroja.
Nëse shikoni programet mësmore për klasën e dytë, sqaron BZHA-ja, në standardet e vlerësimit dhe aktivitetet e ofruara, mund të njihen më drejtpërdrejt tre parimet kryesore të Konceptit të ri: parimi i ndjeshmërisë/barazisë, parimi i gjithëpërfshirjes dhe parimi i interkulturës.
Byroja, së bashku me Ministrinë e Arsimit, apelon që të mos pranohen dhe përhapen lajme të pavërteta, të cilat, siç shton, “janë pjesë e përditshmërisë në vendin tonë” dhe u bën thirrje “të gjithë të interesuarve të kërkojnë informacionin përkatës nga ekipet e ekspertëve në institucionet kompetente në vend që ta interpretojnë apo transmetojnë statuse nga rrjetet sociale”.



