
Sipas raportit më të fundit të Anketës Evropiane të Kushteve të Punës (EËCS 2024) Maqedonia është një nga vendet ku meshkujt do të preferonin të qëndronin në marrëdhënie pune deri në 62.8 vjet, ndërsa gratë deri në moshën 61.5 vjeç. Raporti vëren gjithashtu se në Evropën Jugore dhe Lindore, përfshirë vendet e Ballkanit, njerëzit priren të dalin realisht në pension më herët se mosha ligjore, ndërsa vendet nordike shfaqin një përputhje shumë më të madhe mes moshës ligjore, asaj reale dhe preferencave të qytetarëve
Burrat dhe gratë në Maqedoni do ta linin punën më herët sesa pragu i përcaktuar me ligj i moshës së pensionit, 64 vjeç për burrat dhe 62 vjeç për gratë. Sipas raportit më të fundit të Anketës Evropiane të Kushteve të Punës (EWCS 2024) Maqedonia është një nga vendet ku meshkujt do të preferonin të qëndronin në marrëdhënie pune deri në 62.8 vjet, ndërsa gratë deri në moshën 61.5 vjeç. Raporti vëren gjithashtu se në Evropën Jugore dhe Lindore, përfshirë vendet e Ballkanit, njerëzit priren të dalin realisht në pension më herët se mosha ligjore, ndërsa vendet nordike shfaqin një përputhje shumë më të madhe mes moshës ligjore, asaj reale dhe preferencave të qytetarëve. Në total të anketuarit deklarojnë se do të dëshironin të punonin deri në moshën 67.4 vjeç, niveli më i lartë mes 35 vendeve të analizuara, që përfshijnë vendet e Bashkimit Evropian, Ballkanin Perëndimor, vendet e EFTA-s dhe disa shtete të tjera evropiane.
Aktualisht, mosha e pensionimit është 64 vjeç për burrat dhe 62 vjeç për gratë, me minimum 15 vite stazh pune dhe sipas të dhënave të Fondit Pensional në vitin 2025 figurojnë rreth 346 mijë pensionistë dhe 556 mijë persona të siguruar që paguajnë kontribute, që do të thotë se 1.6 punonjës financojnë 1 pensionist, nga 3 punonjës për 1 pensionist që ishte më parë. Kjo është arsyeja që autoritet zyrtare kanë ngritur alarmin se kujdesi për të moshuarit dhe qëndrueshmëria e sistemit pensional janë të pamjaftueshme, pavarësisht masave të ndërmarra nga Qeveria. Revizioni i kryer nga Enti Shtetëror i Revizionit për periudhën 2014-2024 konstaton se shtylla e parë pensionale operon me deficit, ku 32.6%–43.6 % e të ardhurave mbulohen nga buxheti. Pensioni mesatar ka arritur rreth 27.143 denarë në vitin 2025, por rritja e tij nuk mbështetet me rritjen e kontributeve shoqërore.
Nga ana tjetër, debati për rritjen e moshës së pensionit në Maqedoni vazhdon, ndërsa institucionet financiare ndërkombëtare dhe ekspertët kërkojnë reforma për ta bërë sistemin pensional më të qëndrueshëm. FMN ka vlerësuar se, përballë plakjes së popullsisë dhe rritjes së shpenzimeve publike, vendi duhet të ndërmarrë reforma strukturore, përfshirë edhe në sistemin e pensioneve. Megjithatë, propozimi për rritjen graduale të moshës së pensionit nuk është shndërruar në ligj.
Për të kuptuar motivimin e punonjësve për të qëndruar në tregun e punës, Anketa Evropiane e Kushteve të Punës (EWS) pyeti të anketuarit e moshës 45 vjeç e lart se deri në çfarë moshe do të dëshironin të punonin. Thuajse treçereku i të anketuarve përmendën një moshë konkrete, ndërsa pjesa tjetër shprehën dëshirën për të vazhduar sa më gjatë të ishte e mundur dhe vetëm 12 % thanë se do të donin të dilnin në pension sa më shpejt të ishte e mundur. Sipas raportit, dëshira e daljes në pension nuk lidhet vetëm me aftësinë për të punuar, por edhe me motivimin ekonomik për të vazhduar punën, sidomos në vendet ku pensionet janë të ulëta ose pasiguria financiare është më e madhe, dëshira për të punuar më gjatë shpesh reflekton më shumë nevojën ekonomike sesa zgjedhjen personale.
Kjo situatë ilustrohet me të dhënat për Shqipërinë, ku burrat do të dëshironin të punonin deri në moshën 67.4 vjeç, niveli më i lartë mes 35 vendeve të analizuara. Në Kosovë, burrat do të dëshironin të dilnin në pension në moshën 65 vjeç, në Serbi në 63.7 vjeç, në Bosnjë-Hercegovinë në 62.5 vjeç, ndërsa në Mal të Zi vetëm në 61.7 vjeç.




