BotaShendetiTopLajm

Britani, 90-vjeçarja e para në botë që merr vaksinën kundër COVID-19

Britania e Madhe ka filluar me përdorimin e vaksinës Pfizer dhe BioNTech kundër koronavirusit (COVID-19) pasi u bë shteti i parë në botë i cili miratoi këtë vaksinë për përdorim të gjerë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gruaja 90-vjeçare nga Coventry është personi i parë që merr vaksinën Pfizer/BioNTech kundër COVID-19.

Siç raportohet nga Sky News, 90-vjeçarja Margaret Keenan mori vaksinën në mëngjes në spitalin Universitar Coventry në Britani.

Keenan u bëri thirrje të tjerëve që të vaksinohen.

“Është privilegj të jem e para. Dhurata më e mirë për ditëlindjen e hershme që mund të uroj. Kjo do të thotë që unë mund të kaloj kohë me familjen dhe miqtë e mi gjatë Krishtlindjeve, pasi pjesën më të madhe të vitit kam qenë vetëm”, tha Keenan.

Vaksinat, të cilat janë shpërndarë në 50 qendra vaksinimi në të gjithë vendin, janë destinuar kryesisht për personat në shtëpitë e pleqve, punonjësit e shtëpive të pleqve, personat mbi moshën 80-vjeçare dhe punonjësit shëndetësorë.

Për shkak të vështirësive në ruajtjen e vaksinave, grupet prioritare do të marrin vaksinën në spitale, bazuar në afatin e caktuar.

Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock tha se në fazën e parë, 800 mijë vaksina kundër COVID-19 u shpërndanë në qendrat e vaksinimit. Ai shfaqi shpresën se 2 milionë vaksina do të dorëzohen deri në fund të këtij viti.

Britania miratoi vaksinën për përdorim të gjerë në fillim të nëntorit.

Agjencia për kontroll të ilaçeve dhe prodhimeve shëndetësore (MHRA) në Britani njoftoi atë kohë se vaksina, e cila ofron deri në 95 për qind mbrojtje kundër COVID-19, është e sigurt për t’u përdorur.

Është vaksina që më së shpejti në histori kaloi nga koncepti në realitet. Pfizer dhe BioNTech iu deshën vetëm 10 muaj për të përfunduar të njëjtat hapa zhvillimi që zakonisht marrin dekada.

Ndonëse vaksinimi mund të fillojë, njerëzit duhet të jenë ende të kujdesshëm dhe të ndjekin rregullat në mënyrë që të parandalojnë përhapjen e koronavirusit, paralajmërojnë ekspertët mjekësorë. Kjo do të thotë se shtetasit britanikë ende duhet të mbajnë distancën e tyre fizike dhe të mbajnë maska ​​mbrojtëse për fytyrën.

Related Articles

Back to top button
Close
Close