SportTopLajm

Raiola plas “bombën”: Man. United ta shesë Pogbanë, ndryshe ikën falas

Poul Pogba gjatë periudhës që ka luajtur me Manchester United ka fituar Botërorin e zhvilluar në Rusi me Francën dhe Europa League-n nën drejtimin e Mourinhos me “Djajtë e Kuq”, por për nga cilësia, sasia dhe numrat e tij nuk është ai i Juventusit. Në “Old Trafford” shpresonte të ishte numri 1 në botë, por ai ka hasur vështirësi të mëdha dhe nuk ka patur vazhdimësi në performacat e tij në fushën e blertë. Viti 2021 po troket dhe bashkë me të edhe lamtumira e mundshme.

Një lamtumirë që duket se është vendosur, nëse u referohesh fjalëve të përfaqësuesit të tij, Mino Raiola. Menaxheri i mesfushorit francez, në fakt, për herë të parë pas katër vitesh, e sheh klientin e tij larg Premier League-s.

I intervistuar nga “Tuttosport”, Raiola nuk luan më fjalët:

“Është e kotë të mundohesh të gjesh fjalë të bukura. Më mirë të flasësh qartë, të shikosh përpara dhe të mos humbasësh kohë duke kërkuar fajtorë. Paul në Manchester United është i pakënaqur, nuk është më në gjendje të shprehet siç do të dëshironte dhe siç pritej prej tij. Ai duhet të ndryshojë ekip, duhet të ndryshojë ajrin. Ka kontratë që do të skadojë pas një viti e gjysmë, në verën e vitit 2022, por unë mendoj se zgjidhja më e mirë për palët është që të shitet në dritaren e ardhshme të merkatos. Përndryshe, Man. United, klub me të cilin kemi marrëdhëniet të shkëlqyera, e di mirë që do të rrezikonte ta humbte falas, pasi për momentin nuk është qëllimi i lojtarit të zgjasë kontratën. Nëse dikush nuk e kupton, do të thotë që nuk merr vesh nga futbolli. Në çdo rast, ata gjithashtu do të më fajësojnë nëse verën e ardhshme Paul do të largohet”.

Pogba është i pëlqyer nga shumë klube të mëdha në Europë, veçanërisht nga PSG dhe Juventusi. Ndërsa në të kaluarën Pogba ka qenë pranë Barcelonës si dhe është kërkuar nga Real Madridi. Sigurisht që skuadrat që duan të blejnë Pogbanë do të duhet të fitojnë ankandin që do të hapet për francezin, duke shpenzuar shifra të mëdha. Manchester United pagoi për 27-vjeçarin më shumë se 100 milionë euro, duke përfshirë çmimin e kartonit (e përfitoi Juventusi) dhe komisionet për Raiolan.

Related Articles

Back to top button
Close
Close