
Reshjet e dendura të shiut por edhe breshrit në disa vende që përfshinë rajonin e Shkupit dhe qytete tjera të vendit, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe në sektorin e bujqësisë. Shumë sipërfaqe të mbjella janë përmbytur, ndërsa bujqit kanë raportuar dëme në kulturat bujqësore, veçanërisht në perime, pemëtari dhe kultura të tjera sezonale.
Si pasojë e breshrit në fshatin Shishovë të Komunë të Sarajit, një bujk ka publikuar pamje të tokës së mbjellë me pjepër të cilit i janë dëmtuar thuajse tërësisht.
Bujqit e Strumicës kanë publikuar pamje të shalqirit të dëmtuar i cili sic thonë ka qenë i gatshëm për të dalë në treg por që breshri e ka dëmtuar tërësisht.
Bujqit e rajonit të Pelagonisë, kanë raportuar dëme të konsiderueshme nga breshri në të mbjellat e duhanit të cilët kërkojnë nga institucionet kompetente që të dalin në terren, të evidentojnë dëmet dhe të ndërmarrin masa për kompensimin e tyre.
Sa i përket vlerësimit të dëmeve dhe kompensimit, kryeministri Hristijan Mickoski, u përgjigj shkurt se do të kompensohet dëmi por pa dhënë më shumë detaje.
“A do të siguroni dëmshpërblim për bujqit të cilët pësuan dëme nga moti i lig. ”Sa i përket dëmshpërblimit të bujqve, po sigurisht.” tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Sa i përket kompensimit të dëmeve të shkaktuara nga reshjet e breshrit dhe shiut të viteve të kaluara, sipas informatave, ende ka bujq në rajonin të ndryshme që raportojnë se nuk kanë marr dëmshpërblimin e viteve të kaluara.
Përveç dëmeve në kulturat bujqësore, reshjet shkaktuan probleme edhe në infrastrukturën rurale, duke dëmtuar rrugë lokale dhe sisteme kulluese. Autoritetet thonë se kanë formuar shtab të krizave dhe pritet që inspektorët të dalin në terren dhe të bëjnë vlerësimin e plotë të situatës në ditët në vijim.



