
Mediumi bullgar BGNES ka publikuar një analizë të thellë mbi rritjen e euroskepticizmit në Maqedoninë e Veriut, duke akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski dhe qeverinë e tij për përdorimin e narrativës së “diktatit bullgar” për ta larguar vendin nga Bashkimi Evropian, ndërkohë që vazhdojnë të shfrytëzojnë fondet evropiane. Sipas analizës, retorika agresive ndaj Bullgarisë dhe Traktatit të Fqinjësisë së Mirë të vitit 2017 shërben kryesisht si mjet për të shpërndarë vëmendjen e opinionit publik nga problemet e brendshme strukturore, si inflacioni i lartë dhe borxhi publik në rritje. Në vend të reformave të kërkuara nga Brukseli, qeveria e VMRO-DPMNE-së ka siguruar një hua të madhe nga Hungaria e Viktor Orbanit, gjë që sipas BGNES-it dëshmon për një varësi në rritje nga boshti “Budapest-Beograd-Pekin”.
Analiza vë në dukje se euroskepticizmi, i cili dikur ishte një fenomen margjinal, tashmë është institucionalizuar dhe po shtyhet si një “diskurs i zhgënjimit” ndaj BE-së, ku fajësohet Brukseli për “kushte të padrejta” dhe bllokohen qëllimisht ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. Ky pozicionim po ndihmohet edhe nga partia radikale e opozitës “E Majta” (Levica), e cila shërben si zëdhënëse e hapur e Kremlinit, duke i mundësuar Mickoskit të duket më i moderuar. Më tej, dokumenti thekson ndikimin e fortë serb dhe rus në qeveri përmes zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq, i njohur për qëndrimet e tij pro-ruse dhe mohimin e gjenocidit në Srebrenicë. BGNES përfundon se kontrolli i rritur mbi mediat, pas ndryshimeve ligjore për reklamimin shtetëror, po përdoret për të përhapur dezinformata dhe narrativa anti-NATO të filtruara kryesisht përmes mediave të Beogradit, me qëllim krijimin e një konsensusi publik se e ardhmja e vendit nuk qëndron në BE, por në aleanca alternative me Rusinë dhe Kinën.



