
“Z. Filipçe, kopjimi i VMRO-DPMNE-së në përdorimin e albanofobisë përmes narrativës anti-BDI për përfitime politike nuk është i shëndetshëm për shtetin. Deklaratat e fundit të Venko Filipçes, ku ai përpiqet të përdorë narrativën anti-BDI për të fshehur dështimet e partisë së tij, tregojnë një rrëshqitje të rrezikshme drejt qasjeve të njohura të VMRO-DPMNE-së. Përdorimi i albanofobisë si mjet politik nuk është vetëm i papërgjegjshëm, por edhe i dëmshëm për kohezionin social dhe stabilitetin e Maqedonisë së Veriut,” njoftoi sot partia opozitare BDI.
Sipas partisë: “Ky obsesion politik me BDI-në buron nga dy arsye kryesore. Së pari, përpjekja për të ndërtuar një identitet politik duke sulmuar BDI-në si partia e vetme me identitet të qartë ideologjik dhe politik në skenën politike të Maqedonisë së Veriut. Në një mjedis politik ku shumë parti ndryshojnë qëndrimet sipas interesave të momentit, BDI-ja ka ndërtuar një vizion të qëndrueshëm dhe ka arritur rezultate konkrete që kanë ndikuar pozitivisht tek të gjithë qytetarët. Ky qëndrueshmëri përbën një kontrast të fortë me mungesën e qartë të vizionit tek partitë e tjera, të cilat përpiqen të ndërtojnë identitetin e tyre përmes sulmeve ndaj BDI-së.”
Ata theksojnë se, “Nëse Filipçe dhe partia e tij duan të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për qytetarët, duhet të ndalojnë përpjekjet për të kopjuar qasjet përçarëse të së kaluarës dhe të fokusohen në ndërtimin e një narrative që bashkon qytetarët dhe promovon stabilitetin. Shqiptarët dhe qytetarët e këtij vendi e dinë mirë se BDI është një histori suksesi, dhe sukseset nuk mund të justifikojnë dështimet e të tjerëve.”
“Përdorimi i retorikës së konsumuar anti-BDI nuk i ndihmon as Filipçes, as partisë së tij, dhe sigurisht as Maqedonisë së Veriut. Shqiptarët dhe qytetarët kërkojnë stabilitet, progres dhe vizion – jo retorikë përçarëse dhe ringjallje të shqiptarofobisë,” është qëndrimi i BDI-së.



