
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) i përgënjeshtron në mënyrë kategorike informacionet që qarkullojnë në opinion se uji nga sistemi i ujësjellësit të Shkupit nuk është i sigurt për pije, për shkak të pranisë së supozuar të bakteries Escherichia coli.
Nga AUV thonë se, deri më tani, institucioni nuk ka pranuar asnjë njoftim nga ndërmarrja publike përgjegjëse për furnizimin me ujë në Shkup për ndonjë rezultat të pakënaqshëm nga analizat laboratorike të ujit të pijshëm.
“Si institucion përgjegjës, informojmë publikun se AUV ende nuk ka marrë një njoftim nga ndërmarrja publike e shërbimeve të Shkupit për një rezultat të pakënaqshëm nga testimi laboratorik i ujit të pijshëm, që është detyrim i tyre ligjor, në bazë të të cilit do të miratohej një ndalim për përdorimin e tij”, thuhet në njoftimin e AUV-së.
Sipas Agjencisë, qytetarët nuk kanë arsye për panik apo shqetësim.
“Qytetarët nuk duhet të kenë frikë. Uji nga ujësjellësi i qytetit në Shkup është i sigurt për t’u pirë dhe për t’u përdorur”, deklarojnë nga AUV.
AUV u bën thirrje qytetarëve që të mos u besojnë informacioneve të paverifikuara dhe të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare të institucioneve kompetente.



