
Çështja shumëvjeçare e emrave të rrugëve në Tetovë po shkon drejt zgjidhjes përfundimtare. Grupi i Punës për Riemërtimin e Rrugëve në Tetovë ka miratuar edhe një listë të re me 145 emra për rrugët dhe sheshet e qytetit.
Në mbledhjen e radhës të Grupit të Punës, të kryesuar nga nënkryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, është miratuar edhe Plani i Veprimit dhe dinamika e punës, me qëllim që procesi të përmbyllet sa më shpejt.
“Miratuam një tjetër listë me 145 emra të rinj për rrugët dhe sheshet e Tetovës. Gjithashtu miratuam Planin e Veprimit dhe dinamikën e punës, me qëllim që kjo çështje të finalizohet sa më shpejt”, deklaroi Qamili.
Sipas tij, emrat e rinj reflektojnë realitetin dhe historinë e Tetovës, si dhe bashkësitë etnike që jetojnë në qytet.
Qamili theksoi se puna do të vijojë me përkushtim për zgjidhjen e problemit të emrave të rrugëve, duke paralajmëruar se procesi së shpejti pritet të përmbyllet me një zgjidhje të plotë, gjithëpërfshirëse dhe institucionalisht të qëndrueshme. “Vazhdojmë punën me përkushtim për zgjidhjen e problemit shumëvjeçar me emrat e rrugëve. Shumë shpejt do ta përmbyllim këtë proces me zgjidhje të plotë, gjithëpërfshirëse dhe institucionalisht të qëndrueshme”, u shpreh Qamili.



