
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti në shënimin e 25 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit ka shkruar se partia që ai bashkëdrejton si VLEN dhe si pjesë e Qeverisë, gjatë këtyre dy viteve kemi punuar që parimet e Marrëveshjes së Ohrit të marrin formë konkrete në ligje, shkruan Top24
Po ashtu Mexhiti theksoi se kjo qeveri për herë të parë, komunat shqiptare po marrin në mënyrë të drejtë dhe proporcionale hisen që u takon nga buxheti për investime kapitale. Mbi 250 milionë euro janë ndarë për projekte lokale, nga të cilat kanë përfituar Çairi, Tetova, Gostivari, Struga, Saraji, Likova dhe komunat e tjera me shumicë apo popullsi të konsiderueshme shqiptare.
Sot, me një panel diskutimi, nisëm shënimin e 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, marrëveshjes që i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe hapi rrugën e barazisë institucionale në Maqedoninë e Veriut.
Një çerek shekulli më vonë, përgjegjësia jonë është e qartë: të ruajmë të drejtat e fituara, t’i institucionalizojmë dhe t’i avancojmë. Si VLEN dhe si pjesë e Qeverisë, gjatë këtyre dy viteve kemi punuar që parimet e Marrëveshjes së Ohrit të marrin formë konkrete në ligje, institucione, buxhet dhe investime.
Përfaqësimin e drejtë dhe adekuat po e çojmë nga një mekanizëm administrativ drejt rregullimit me ligj, në mënyrë që kjo e drejtë të mos varet nga vullneti politik i askujt. Gjuha shqipe është e garantuar me ligj, është e sigurt dhe po respektohet në institucionet e shtetit. Pozita e saj juridike dhe institucionale është e qartë dhe e pacenueshme.
Një prej avancimeve më të rëndësishme është decentralizimi. Për herë të parë, komunat shqiptare po marrin në mënyrë të drejtë dhe proporcionale hisen që u takon nga buxheti për investime kapitale. Mbi 250 milionë euro janë ndarë për projekte lokale, nga të cilat kanë përfituar Çairi, Tetova, Gostivari, Struga, Saraji, Likova dhe komunat e tjera me shumicë apo popullsi të konsiderueshme shqiptare.
Për ne, decentralizimi do të thotë edhe fuqi financiare për komunat: më shumë mundësi për të ndërtuar rrugë, shkolla, çerdhe, ujësjellës e kanalizime dhe për të vendosur vetë për prioritetet e zhvillimit të tyre.
Në këtë drejtim po ecin edhe investimet e mëdha infrastrukturore. Korridori VIII lidh Kumanovën dhe Shkupin, përmes Tetovës, Gostivarit, Kërçovës e Strugës deri në Qafë Thanë dhe, përmes Shqipërisë, me Adriatikun. Ky korridor lidh mes vete rajone me popullsi të konsiderueshme shqiptare dhe krijon mundësi të reja për zhvillim ekonomik, tregti, investime dhe qarkullim më të shpejtë të njerëzve e mallrave.
Këtë gusht nisin edhe punimet për aksin e ri të autostradës Shkup–Bllacë, ndërsa për pjesën e mbetur është kompletuar struktura financiare. Ky është një tjetër investim strategjik për zonat shqiptare dhe për lidhjen e Maqedonisë së Veriut me Kosovën.
Po investojmë fuqishëm edhe në arsim. Rreth 42 milionë euro po investohen në kampusin e ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, duke i siguruar këtij universiteti një kampus të përhershëm dhe modern. Një investim i kësaj përmase në arsimin e lartë në gjuhën shqipe shënon një hap të rëndësishëm për studentët shqiptarë dhe për zhvillimin e universitetit.
Krahas kësaj, kemi krijuar më shumë hapësirë edhe për kulturën shqiptare, përmes mbështetjes së panaireve të librit, festivaleve, botimeve, artistëve dhe manifestimeve që afirmojnë gjuhën, kulturën dhe krijimtarinë tonë.
25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, avancimi i barazisë duhet të shihet konkretisht në jetën e qytetarëve. Në hisen që marrin komunat nga buxheti, në shkollat që ndërtohen, në universitetin që zhvillohet, në rrugët që lidhin qytetet tona dhe në mundësitë e reja që krijohen për zhvillim.
Kjo është rruga që kemi zgjedhur: të ruajmë atë që është arritur, ta institucionalizojmë atë që duhet mbrojtur dhe ta çojmë përpara barazinë përmes ligjeve, institucioneve dhe zhvillimit të drejtë.
Sepse të drejtat janë më të sigurta kur garantohen nga ligji dhe sistemi, e jo kur varen nga mekanizma që mund të keqpërdoren apo varen nga vullneti politik i cilitdo subjekt.



