
Pavarësisht se javë më parë u njoftua se uji në Gostivar është i pijshëm pas shpalljes së epidemisë, ende nuk ka të publikuar asnjë dokument zyrtar për cilësinë e ujit. Ndërkaq deri te Avokati i Popullit nuk ka arritur asnjë ankesë.
Nga Zyra e Avokatit të Popullit thonë se çdo qytetar i cili konsideron se i është shkelur e drejtë e caktuar, ashtu edhe banorët e Gostivarit dhe komunave fqinje, munden me ankesë të veçantë të drejtohen deri te Avokati i Popullit dhe rasti i tyre do të shqyrtohet.
“Qytetarëve do u jepet këshillë juridike për mënyrën, kushtet dhe procedurën si të realizojnë të drejtën e tyre. Një të drejtë të caktuar, qytetarët mund ta realizojnë edhe me padi kundër komunës apo shtetit. Por në këtë fazë derisa punon dhe Prokuroria Publike, do i sugjeronim qytetarët nëse ndjehen të dëmtuar, të drejtohen deri te Prokuroria Publike”, thanë nga Avokati i Popullit.
Më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë lëshoi ndalesë për pirjen e ujit në Gostivar pasi u zbuluan pompa që drejtpërdrejt injektonin ujëra të zeza në sistemin e furnizimit me ujë.
Disa ditë më vonë, më 20 korrik, drejtoresha e NP “Komunalec” nga Gostivari dhe dy punonjës të tjerë u ndaluan dhe kundër tyre u iniciua hetim për ndotjen e ujit në Gostivar. Ata dyshohen se me lëndë të dëmshme e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në dhomën e tejmbushjes së sistemit që e furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth. Sipas hetimit më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm për ta testuar presionin e ujit.
Më pas, në ujë u zbuluan “baktere koliforme 2.419,6 cfu/100 ml, ndërkohë që kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml, ndërsa në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua se në ujë ka një numër të rritur të kolonive bakteriale mezofile aerobe dhe prani të baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë u gjetën 39 cfu/100 ml. Bëhet fjalë për sasi jashtëzakonisht të madhe të fekaleve në ujin e pijshëm. Më pas, më 14 gusht u njoftua se uji është i sigurt për pije.



