Apple nuk do që ta blesh më iPhone-in! Gjiganti prezanton modelin me pagesë mujore

Apple po ndryshon mënyrën se si konsumatorët mund të kenë në dorë pajisjet e saj. Kompania ka prezantuar një program të ri leasing-u që u lejon përdoruesve të marrin me qira iPhone, Mac, iPad dhe Apple Watch, duke paguar një tarifë mujore në vend të blerjes së menjëhershme.
Programi, i cili lançohet fillimisht në Shtetet e Bashkuara në partneritet me Klarna, do të jetë i disponueshëm në dyqanet fizike të Apple, në faqen zyrtare dhe në aplikacionin Apple Store. Nisma vjen në një kohë kur çmimet e pajisjeve elektronike janë rritur dhe shumë konsumatorë po i mbajnë telefonat e tyre për më gjatë.
Sipas skemës së re, iPhone dhe Apple Watch mund të merren me kontrata 12 ose 24-mujore, ndërsa Mac dhe iPad do të ofrohen me kontrata 24 ose 36-mujore. Programi përfshin modelet më të reja, si iPhone 17, iPhone Air, Apple Watch Series 11, Apple Watch Ultra 3, MacBook Air, MacBook Pro, iMac, Mac Studio, iPad Air, iPad Pro dhe iPad mini.
Nga oferta janë përjashtuar disa prej pajisjeve më të lira të kompanisë, si iPhone 16, MacBook Neo, iPad bazë dhe Apple Watch SE.
Apple thotë se programi i ri zëvendëson iPhone Upgrade Program, duke zgjeruar mundësinë e pagesës me këste edhe për kategori të tjera produktesh dhe duke u ofruar klientëve më shumë fleksibilitet.
Opsioni më i lirë për një iPhone nis nga 17.99 dollarë në muaj, shumë më pak se programi i mëparshëm i përmirësimit të iPhone, i cili fillonte nga rreth 42 dollarë në muaj.
Sipas analistëve të tregut, kjo lëvizje tregon se Apple po e orienton biznesin drejt një modeli të ngjashëm me abonimet mujore, duke e bërë më të lehtë aksesin në pajisjet e saj pa pagesa të mëdha fillestare.
Programi prezantohet vetëm pak javë përpara prezantimit të gjeneratës së re të iPhone-ve, ku Apple pritet të zbulojë edhe telefonin e saj të parë me ekran të palosshëm, i cili sipas raportimeve mund të jetë pajisja më e shtrenjtë që kompania ka lançuar ndonjëherë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



