
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Apasiev ironizoi sloganin e VMRO-DPMNE-së, duke shkruar: “Po si ishte ajo: ‘Maqedonia përsëri KRENARE’? A jeni krenarë tani, vmrovistë?”, duke e shoqëruar reagimin me hashtagët #VmroNevermore, #Neobalizëm dhe #DygjuhësiIlegale.
Reagimi i liderit të Levicës vjen pasi Ministria e Drejtësisë, nën drejtimin e Jeton Shasivarit, funksionalizoi uebfaqen zyrtare edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Me këtë postim, Apasiev e drejton kritikën ndaj VMRO-DPMNE-së, duke e akuzuar se, megjithëse dikur kundërshtonte dygjuhësinë, tani gjatë qeverisjes së saj po zbatohet zgjerimi i përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore.



