
„Ky zjarr kishte potencial të shkaktonte një dëm të madh, sepse përreth ka shumë shtëpi, si dhe shumë objekte të banuara, aq sa mund të shoh“, tha drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angellov.
Mbi varrezat ortodokse në Tetovë, rreth orës 11:00 paradite, shpërtheu një zjarr i madh, i cili fillimisht u shfaq mes disa shtëpive. Zjarri më pas u përhap me shpejtësi drejt pyllit në drejtim të kalasë së Tetovës.
Zjarri tashmë është vënë plotësisht nën kontroll. Në shuarjen e tij intervenuan zjarrfikësit e Tetovës dhe një helikopter policor, i cili në nëntë raste hodhi ujë mbi flakët.
„Është shmangur një katastrofë e madhe. Ky zjarr kishte potencial të shkaktonte një dëm të madh, sepse përreth ka shumë shtëpi dhe shumë objekte të banuara“, deklaroi Angellov.
Sipas njërit prej banorëve të shtëpive përreth, zjarri ka shpërthyer gjatë kohës kur fëmijët po luanin. Papritur është shfaqur një shkëndijë, pas së cilës zjarri është përhapur me shpejtësi dhe ka përfshirë disa sfungjerë që ndodheshin aty pranë.



