LajmeRajon

Gjyqi ndaj Shehollit nis më 7 shtator

Nga zyra për shtyp e Gjykatës Themelore në Prishtinë është konfirmuar të enjten se seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarit për spiunazh, Fatmir Sheholli, do të mbahet më 7 shtator 2026, duke filluar nga ora 09:30, dhe do të jetë e hapur për publikun.

Njoftimi për gjyqin ndaj Shehollit vjen pas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, e cila e ngarkon të pandehurin me dy vepra penale: spiunazh dhe shantazh.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale thuhet se Sheholli ishte rekrutuar nga shërbimi sekret serb (BIA). Ai dyshohet se i ka raportuar shefit të Drejtorisë kundër Terrorizmit, Bojan Dimiç, deri në tetor 2025, kur edhe është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Sheholli akuzohet se ka mbledhur dhe përcjellë informacione dhe dokumente rreth aktiviteteve politike, gjendjes së sigurisë dhe funksionimit të institucioneve të Kosovës.

Ndryshe, rasti i Shehollit është pjesë e serisë së hetimeve të autoriteteve të Kosovës vitet e fundit ndaj personave të dyshuar për bashkëpunim me inteligjencën e Serbisë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close