LajmeMaqedoniTopLajm

Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjigje: Cili është qëndrimi i VLEN-it për raportin e BE-së dhe akuzat e zyrtarëve qeveritarë ndaj Brukselit? 

Aleanca për Shqiptarët i drejtohet sot opinionit publik dhe përfaqësuesve të koalicionit VLEN me një sërë pyetjesh thelbësore, të cilat nuk mund të mbeten pa përgjigje në kohën kur Maqedonia e Veriut përballet me izolim të thelluar ndërkombëtar, me ngecje në procesin e integrimeve dhe me retorikë gjithnjë e më të rrezikshme nga vetë eksponentët qeveritarë.

Zëvendësministrja për Çështje Evropiane dhe zëvendësshefe e negociatave me BE-në, Viktorija Trajkov – ndihmësja politike e ministrit kukull Orhan Ibrahimi – deklaroi qartë në debat televiziv se:

“Për ne, negociatat me çdo kusht nuk ekzistojnë! Nëse çmimi është Maqedonia, gjuha maqedonase dhe identiteti maqedonas – thjesht nuk negociojmë!”

A është ky qëndrimi i Qeverisë që VLEN po e mbron me heshtje?

A është ky qëndrimi që përfaqëson shqiptarët, apo vetëm vijën e kuqe të VMRO-DPMNE-së?

Nuk munguan as qëndrimet e partnerit strategjik të VLEN-it në zgjedhjet lokale, Maksim Dimitrievski, i cili përveç se kritikoi Parlamentin Evropian dhe eurodeputetët për “qëllime fashiste”, bëri thirrje që vendimet për të ardhmen e Maqedonisë të merren “vetëm brenda kufijve të saj” – pra, jashtë ndikimit të BE-së dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Aleanca për Shqiptarët pyet publikisht drejtuesit e grupimit VLEN: A pajtoheni ju me këto deklarata të bashkëpunëtorëve tuaj në qeveri? Cili është qëndrimi zyrtar i VLEN-it për Raportin për Maqedoninë e Veriut të miratuar në Parlamentin Evropian? Përveç deputetes Saranda Imeri-Stafaj – e cila shqiptarët preferon t’i quajë pakicë kombëtare – a ka ndonjë qëndrim tjetër përfaqësuesi juaj për këtë raport kritik dhe alarmues?

Le t’i kujtojmë opinionit disa nga zotimet e VLEN-it: “Nëse nuk realizohen ndryshimet kushtetuese brenda 6 muajve të parë, do të tërhiqemi nga qeveria.” Sot, një vit më vonë, jo vetëm që nuk ka ndryshime kushtetuese, por Evropa na quan çerdhe e Botës Serbe, ndërsa VLEN jo vetëm që nuk është larguar nga pushteti, por hesht, hesht dhe hesht.

Kryeministri Mickoski deklaron se “Evropa tregoi fytyrën e vërtetë” – një mesazh i rrezikshëm që e largon vendin nga vlerat dhe rruga euroatlantike. A pajtoheni edhe me këtë qëndrim, zyrtarë të VLEN-it?

Pse nuk u tërhoqët nga qeveria? Pse nuk kërkuat llogari për mosrealizimin e premtimeve që i bëtë shqiptarëve? Apo gjithçka ishte thjesht një marketing elektoral për të zënë karrige?

Sot më shumë se kurrë, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kërkojnë transparencë, guxim dhe qëndrueshmëri politike. Heshtja e VLEN-it është pranim i përfshirjes në një projekt për izolimin e vendit, kapjen e institucioneve nga VMRO-DPMNE dhe largimin nga procesi euro-integrues.

Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të jetë zëri i qartë i shqiptarëve, që nuk do të heshtin përballë rrëshqitjes së vendit drejt autokracisë, izolimit dhe mashtrimit politik. Mos heshtni më! Qytetarët meritojnë përgjigje.

Aleanca për Shqiptarët

Related Articles

Back to top button
Close
Close